Një tjetër klub ka dalë në skenë për Taulent Seferin. Sulmuesi nga Kumanova shënoi 18 gola dhe dhuroi 10 asiste në sezonin e fundit me Tiranën, ekip me të cilin fitoi titullin kampion.
25-vjeçari ndodhet nën kontratë me 26 herë kampionët e Shqipërisë, që kanë pretendime të larta për ta lënë të lirë, ndërkohë që 30% e kartonit të tij zotërohet ende nga zviceranët e Young Boys.
Në Azerbajxhan përflitet për një interesim të Gabalas, ekip ku kanë luajtur më parë Sabien Lilaj dhe James Adeniyi. Gabala do të garojë në Conference League, teksa Seferi është një kërkesë e trajnerit Elmar Bakhshiyev.
Sulmuesi i kombëtares (10 ndeshje dhe 1 gol me kuqezinjtë) ka marrë oferta të shumta gjatë kësaj periudhe, teksa do të jetë pjesë e Tiranës për dy duelet e raundit të parë në Champions League kundër F91 Dudelange (Luksemburg).