Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka komentuar aprovimin e 11 milionë eurove nga Qeveria e Kosovës për rrymën në veri, me ç’rast ka kritikuar VV-në për këtë veprim, raporton Gazeta “Enigma”.
“Vetëvendosje bashkë me Listën e Vuciqit e me aprovim të z. Kurti japin 11 MILIONË euro (11 000 000 €) për rrymën në veri. Me 61 vota për, deputetët e LVV-së së bashku me ata të Listës “Srpska” kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me propozimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës për katër komunat veriore.Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte parti opozitare, për disa vite rresht e me plot ngulm kishte kundërshtuar një veprim të tillë. Tani që LVV është në pushtet, veprimet kundërshtuese – të opozitës së dikurshme tani me pushtet absolut duket se janë tjetërsuar në tërësi. Sërish, edhe një herë e për të satën herë në këtë fillim, premtimet e kauzat opozitare të tyre dalin të jenë mashtrim”, ka shkruar Bajrami.
Ajo thotë se Kuvendi i Kosovës sot ka ndërhyrë drejtpërdrejt në menaxhimin e KOSTT-it dhe sipas saj, ka gjasa që Qeveria Kurti të obligohet që përmes rishikimit buxhetor të ia kthejë këto mjete KOSTT-it.
“Pagesa prej 11 milionë eurove do të bëhet nga KOSTT. KOSTT është aset i qytetarëve të Kosovës – buxheti i KOSTT-it është buxheti i shtetit. KOSTT është ndërmarrje publike. Për më tepër Kuvendi sot ka ndërhy drejtpërdrejt në menaxhimin e KOSTT-it dhe ka shumë gjasa që Qeveria Kurti do të obligohet që përmes rishikimit buxhetor të ia kthejë këto mjete KOSTT-it. Ky vazhdim pagese tregon poashtu se Qeveria nuk ka plan të qartë për dalje nga kjo situatë. Deklarata e shumicës se Qeveria dorëzohet para ligjshmërisë në veri e frika e kthimit të “policëve në arkivol” është sa skandaloze aq edhe dorëzuese; mbi të gjitha është deklaratë ofenduese për të gjitha forcat në detyrë”, shtoi ajo. Po ashtu ajo tha se LDK-ja do të vëzhgojë nga afër zotimet e deputetëve të VV-së se brenda 6 muajve Qeveria Kurti do të shtrijë autoritetin dhe kontrollin në katër komunat veriore./Gazeta Enigma