Ministria e Shëndetësisë njofton se dy zyrtarë të saj, zëvendësministri Arsim Berisha dhe këshilltari politik i ministrit Rifat Latifi, Anton Sllaku, kanë vizituar sot Komunën e Hanit të Elezit për të trajtuar çështjen e dyshimeve për helmimin e qytetarëve nga uji i pijes në disa fshatra të kësaj komune.
Në komunikatën për media thuhet se Berisha është njoftuar nga autoritetet lokale shëndetësore të Hanit të Elezit se nga fillimi i ankesave të qytetarëve deri në ora 12:00 të ditës së sotme, ekipet mjekësore kanë vizituar 195 pacientë, kurse pas orës 12:00, pesë pacientë.
“MSh dhe SHSKUK kanë ndihmuar QKMF-në e Hanit të Elezit me furnizime me medikamente dhe materiale shpenzuese të nevojshme të kërkuara si nevoja emergjente”, thuhet në njoftimin për media.
Ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës ndërkaq, kanë marrë edhe sot mostra për analizë laboratorike të ujit pas dyshimeve për intoksikim të ujit.
“Me qëllim të përballimit të situatës dhe ofrimit të shërbimeve për të gjithë qytetarët me ankesa, QKMF e Hanit të Elezit është mbështetur nga ekipet e Kujdesit Parësor Shëndetësor nga Komuna e Ferizajt dhe Komuna e Vitisë”.
Tutje, thuhet se Agjensioni i Menaxhimit të Emergjencave në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes cisternave, ka siguruar ujë të pijes për banorët e zonave ku qytetarët kanë pasur probleme shëndetësore, derisa IKSHPK-ja të konfirmojë rezultatet e mostrave të marra për analizat e ujit.
“Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka vizituar gjithashtu komunën e Hanit të Elezit duke iu ofruar mbështetje autoriteteve lokale për menaxhimin e situatës”.
Sipas MSh-së, situata është nën monitorim të vazhduar së bashku me IKSHPK-në e dikasteret e tjera relevante si janë në terren dhe në komunikim të vazhduar me autoritetet komunale për menaxhimin e situatës.