Bashkim Zejnullahu nga Shoqata e Mullistëve të Kosovë ka thënë se nuk ka vend për shqetësime pasi furnizimi i brendshëm me grurë dhe miell në vend është stabil.
Zejnullahu, mes tjerash, tha se janë kundër abuzimeve me çmime dhe duhet të ketë rënie të çmimeve për shkak të stabilitetit, njofton Klankosova.tv.
“Si shoqatë jemi të angazhuar dhe duke vëzhguar situatën në terren, duke marrë parasysh situatën aktuale dhe globale me furnizime esenciale që të kemi një furnizim stabil me grurë dhe miell për tregun e brendshëm. Do të kemi furnizim të mjaftueshëm të brendshëm, sigurisht do të krijohen furnizime sipas nevojës edhe nga tregjet e jashtme që ne të kemi mundësi të ofrojmë furnizim stabil për tregun tonë. Çmimet duhet të kishin pasur rënie gjatë sezonit 2022”.
“Ne si shoqatë jemi të angazhuar gjithmonë që të ketë furnizime dhe stabilitet të brendshëm duke e ditur situatën e mëhershme të muajit shkurt dhe mars arritëm të mbajmë nën kontroll apo të vërtetojmë atë që ne e dinim se kemi stabilitet dhe stoqe të mjaftueshme dhe mendojmë se kjo do të vazhdojë edhe këtë vit”.
“Jemi kundër abuzimeve të çmimeve nga kushdo qoftë dhe të mos shfrytëzohet situata aktuale që të ngrisin çmimet pa nevojë. Nuk ka nevojë për shqetësime pasi ka furnizime por as për ngritje të çmimeve”, tha Zejnullahu.