Fitorja ndaj skuadrës finlandeze Inter Turku me rezultat 3-0 ka sjellë entuziazëm dhe vetëbesim te skuadra e Dritës e cila falë kësaj fitoreje do të luajë në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës.
Në rrethin e dytë kualifikues Drita do të përballet me skuadrën belge, Antwerp e cila kap vlerën e mbi 67 milionë eurove si skuadër.
Antwerp në skuadër ka lojtarë me emër si Toby Alderweireld dhe mesfushorin Radja Nainggolan.
Skuadra e drejtuar nga trajneri shkupjan Ardian Nuhiu do të zbres në fushë të enjtën nga ora 19:00.
Analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj në një bisedë për Gazetën Enigma thotë se fitorja e thelle ndaj Inter Turkut i jep vetëbesim Dritës për ndeshjen ndaj Antëerpit.
“Fitorja e thellë e Dritës dhe loja e mirë ndaj Inter Turku, ka rritur vetëbesim dhe ambiciet që edhe ndaj Antwerpit të bëjnë mrekullinë. Drita ka marrë përvojë të mirë në garat evropiane me pjesëmarrje vit pas viti, dhe kjo iu jep edhe vetëbesim për paraqitje të mirë në ndeshje të tilla”, thotë Genc Sermaxhaj për Gazetën Enigma.
Sipas Sermaxhajt, gjasat e Dritës ndaj Antwerpit janë të vogla, për shkak të cilësisë dhe përvojës.
“Gjasat e Dritës natyrisht se janë të vogla ndaj Antwerpit. Ekipi Belg është shumëfish më i mirë në cilësi, në përvojë dhe çdo aspekt tjetër organizativ e financiar”, vlerëson ish-futbollisti i njohur kosovar.
Sermaxhaj beson se Drita është përgatitur maksimalisht për për këtë ndeshje.
“Ekipi i Dritës e ka parasysh se me çfarë kundërshtari do të përballet dhe besoj se është përgatitur maksimalisht mirë në aspektin psikologjik. Përballjet e kaluara të Dritës me Legea Warszava, Malmo e Feyenord, janë një plus i madh për paraqitje më të mirë ndaj Antwerp”, thotë ai.
Drita duhet të jetë e vendosur ndaj Antwerpit, duke bërë paraqitje të mirë sikurse ndaj Feyenoordit në vitin e kaluar.
“Ndoshta një qasje e njëjtë sikur ndaj Feyrnordit do të ishte mundësi më e mirë, por vetëm mundësitë e krijuara të konkretizohen. Pra mbrojtja e mirë dhe kundërsulmet e shpejta me finalizim, mund të jenë më të frytshme se sa ndonjë mënyrë tjetër e lojës, sepse Antwerp ka shumë cilësi dhe çdo gjë tjetër është e vështirë ndaj tyre”, potencon Genc Sermaxhaj.
Drejtësinë në këtë ndeshje do ta ndajë Philip Farrugia, i asistuar nga Alan Camilleri dhe James Muscat./GAZETA ENIGMA/