Entuziazmi i merkatos verore është venitur disi në kampin bardhezi me dëmtimin e Paul Pogba, pasi ekzaminimet e para kanë konstatuar një lëndim të meniskut.
Gjatë ditës së sotme pritet një konsulencë më e specializuar, megjithatë gjasat janë që mesfushori francez t’i nënshtrohet një operacioni, çka do ta mbante për disa muaj jashtë.
Ajo të cilës bardhezinjtë i tremben më së shumti, është pikërisht ndërhyrja kirurgjikale, pasi në këtë mënyrë, Allegrit do t’i duhet të bëjë llogaritë pa Pogba për pjesën e parë të sezonit.
Kalendari i Serisë A dhe gjithë Europës është mjaft i ngjeshur deri në nëntor, kur starton Botërori i Katarit, ndaj pa Pogba do të ndryshonin edhe planet e merkatos te bardhezinjtë.
Për momentin të gjitha janë hipoteza, megjithatë referuar precedenteve të tjera me dëmtim të meniskut, gjasat më të mëdha janë që Pogba të kërkojë zgjidhje te bisturia, si rruga më e sigurt për rikuperim.
Kjo pasi vetë mesfushori francez nuk dëshiron të humbë kurrsesi Botërorin dhe tani është koha e duhur për ndërhyrjen, pasi do të rikthehej në fund të tetorit dhe do të kishte kohën e nevojshme për t’u rikuperuar plotësisht.