Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta po mundohet ta bëjë më të mirën për gjigantin katalunas, në mënyrë që ky ekip të jetë protagonist në futbollin spanjoll në edicionin 2022/23.
Kreu i klubit edhe një herë e ka përsëritur faktin se Frenkie de Jong pritet të vazhdojë të luajë në “Camp Nou” përkundër ofertës së majme të Manchester Unitedit për shërbimet e tij.
E ndërkohë, mediat spanjolle njoftojnë se kreu i klubit “Blaugrana” i ka këshilluar sulmuesin Martin Braithwaite dhe qendërmbrojtësin Samuel Umtiti që të gjejnë klube të reja.
Barça po planifikon ta përdorë “fshesën” gjatë kësaj vere duke i larguar disa lojtarë, në të cilët nuk llogarit trajneri Xavi Hernandez, dhe të bëjë përforcime varësisht se në cilat pozita e sheh të nevojshme trajneri spanjoll.
Deri tash, Barça i ka bërë pesë përforcime, por klubi nga “Camp Nou” nuk e ka në plan të ndalet, sa u përket prurjeve të reja.
Barcelona dhuroi spektakël mbrëmë në ndeshjen e vlefshme për “Joan Gamper Trophy”, pasi e mundi ekipin meksikan, Pumas me rezultat të thellë, 6:0.