Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka përshëndetur të gjithë mësimdhënësit dhe federatat tjera që ia kanë besuar detyrën si kryetar të Këshillit Grevist në nivel të BSPK-së.
Ai tha se ministrja Nagavci ka nisur një agjendë të takimeve që një kohë me mësimdhënës, mirëpo disa prej tyre, sipas Jasharajt, i kanë thënë se “i kanë të zgjedhurit e vet me të cilët është dashur të bisedohet”.
“Ministrja Nagavci e ka nisur një agjendë të takimeve që një kohë, dhe ka vizituar komuna tjerë duke u takuar me një numër të caktuar të mësimdhënësve, por në shumë komuna ia kanë thënë se mësimdhënësit dhe puëntorët e tjerë i kanë të zgjedhurit e vet me të cilët është dashur të bisedohet. Ne si SBASHK i kemi kërkuar që ministrja Nagavci shqetësimet tona ti ngrisë në qeveri dhe të kontibuojë që të ketë dialog me qeverinë”, ka thënë Jasharaj në T7.
Kur u pyet se çka do të ndodh më 1 shtator, Jasharaj tha se “nuk do të ketë nxënës dhe mësimdhënësit do të jenë në grevë”.
“Mësimdhënësit do të jenë në grevë, por edhe administrata në UP dhe do të ndodhë ajo që do të ndodhë dhe greva do të vazhdojë dhe më 1 shtator nuk do të ketë nxënës, do të ketë mësimdhënës në grevë. Jam i sigurt që përveç administratës në shërbimin publik në nivelin qendror dhe komunal, në grevë do të jenë edhe pjesa më e madhe e gjykatave dhe institucioneve tjera”, tha Jasharaj.
I pari i SBASHK-ut e “luti” kryeministrin Kurti që ta ndryshojë qëndrimin e tij ndaj sindikatave dhe kërkesave tona.