“Pompa e derivateve” nga Sislej Xhafa, pikë atraktive e Manifesta 14 (VIDEO)

“Pompa e derivateve” nga Sislej Xhafa, pikë atraktive e Manifesta 14 (VIDEO)

Monumenti i dëshmorëve partizanë në lagjen Velania të Prishtinës nuk e ka më rëndësinë që e kishte në kohën e Jugosllavisë.

Për ta bërë atë më interesant, bienalja evropiane Manifesta 14 ka ndarë hapësirën për ekspozimin e veprës së artistit të mirënjohur kosovar, Sislej Xhafës.

Në instalacionin e titulluar “frosted pocket” që do të thotë “xhepi i ngrirë” artisti ka mbledhur elementet e një tregimi alternativ që përmban: një pompë jofunksionale benzine, një karrige, një karikues paneli diellor, një telefon mobil si dhe një kujdestar të paguar.

Vildane Maliqi e cila është punonjëse në departamentin e produksionit Manifesta 14 ka thënë se insalacioni në fjalë është pritur mjaft mirë nga publiku.

E pyetur se a ndërlidhet ky instalacion me faktin se tashmë është rritur çmimi i derivateve, ajo thotë se vepra ka më shumë të bëjë me lokacionin.

“Ka më shumë kuptim për shkak të lokacionit që llogaritet si një investim i cili është shterur në kuptimin ekonomik”.

Klan Kosova e intervistoi edhe një artdashëse e cila kishte ardhur nga Italia për t’i parë ekspozitat që ka organizuar kjo bienale. Asaj më së shumti i bëri përshtypje njeriu i cili është i paguar të qëndrojë aty.

“Më së shumti më bën përshtypje njeriu i cili paguhet për të qëndruar aty. Unë jam kureshtare ta di se pse artisti e paguan dikë që duhet të rrijë gjatë tërë ditës këtu”.

Ajo thotë se pompa jofunksionale e derivateve i ngjason me këtë vend që dikur e kishte rëndësinë, por se tashmë është jofunksional.

“Ndoshta është pak a shumë sikur ky vend. Është krijuar për një qëllim, por sot është jofunksional. Ndoshta ky është interpretimi që artisti ka dashur të ia bëj këtij vendi”.

Kjo vepër do të qëndrojë e ekspozuar për aq kohë sa zgjatë edhe Manifesta 14 në Prishtinë.

Related Articles