Golat e Muriqit, garanci për suksesin e Mallorcas

Golat e Muriqit, garanci për suksesin e Mallorcas

Vedat Muriqi po vazhdon me formë të lartë në La Liga. Sulmuesi kryesor i Kosovës, të shtunën, ishte më meritori për fitoren 2:0 të Mallorcas në udhëtim ndaj Raya Vallecanos. Muriqi shënoi gol të bukur me kokë për 1:0 dhe më pas çdo gjë ishte më e lehtë për Mallorcan.

“Goli i parë na ka dhënë qetësi dhe siguri. Pas golit të parë kundërshtari ka lënë më tepër hapësirë dhe ne kemi përfituar prej kësaj. Ne duam të jemi ekip i vështirë për të gjithë rivalët. Raya Vallecano është ekip i vështirë. Ka barazuar me Barcelonën dhe ka fituar ndaj Espanyolit. Vedat Muriqi është në moment të mirë. Kam qenë shumë i lumtur për golin e tij”, ka theksuar trajneri i Mallorcas, Javier Aguirre.

Muriqi u kthye në stadiumin ku luajti ndeshjen e parë në La Liga dhe la gjurmën e tij me golin e bukur në minutën e 13-të. Ai u shmang bukur nga mbrojtësit, mori top të mirë dhe realizoi me goditje me kokë.

Për Mallorcan është fitorja e parë në këtë edicion. Për Muriqin, goli i dytë rresht. Mallorca në hapje të edicionit kishte barazuar pa gola me Athletic Bilbaon. Më pas humbi 2:1 nga Betisi, në të cilën ndeshje Muriqi realizoi gol. Tani ka fituar ndaj Vallecanos.

Gazeta e madhe spanjolle, “Marca”, ka shkruar se Muriqi ka konfirmuar startin e mirë të edicionit me ndeshje të madhe dhe me gol të bukur.

“Seria e Muriqit është më se e rëndësishme për Mallorcan. Ai po stabilizohet si lojtar i rëndësishëm në skemat e Javier Aguierres. Tashmë ka shënuar në dy ndeshje rresht. Ka shënuar me goditje me kokë, një armë vdekjeprurëse për Muriqin. Kosovari është specialist: prej shtatë golave të shënuar si lojtar i Mallorcas, katër janë me kokë. Real Betis dhe Rayo Vallecano po bëhen skuadrat rivale të pëlqyera të Muriqit. Ai ka shënuar në dy ndeshje ndaj këtyre skuadrave dhe të gjithë golat i ka me kokë”, ka komentuar “Marca”.

Muriqi, 28-vjeçar, është shprehur i lumtur për fitoren. Për Mallorcan secila pikë është me peshë.

“Jam dyfish i lumtur, për golin dhe për fitoren. Ishte ndeshje e vështirë ndaj një rivali të fortë. Janë tri pikë shumë të rëndësishme në një fushë shumë të komplikuar”, ka thënë Muriqi pas ndeshjes.

Related Articles