Kosova e ka vetëm një stadium ku mund t’i luajë ndeshjet ndërkombëtare, e ai është “Fadil Vokrri” në Prishtinë i cili përveç ndeshjeve ndërkombëtare shfrytëzohet edhe nga ekipet e Superligës për ndeshje kampionale.
Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” ka qenë e ngarkuar që nga korriki kur klubet kosovare si Ballkani, SC Gjilani, Drita dhe Llapi i kanë luajtur ndeshjet ndërkomëbtare në këtë stadium si vendas duke shkaktuar mbingarkesë në fushë, gjë e cila shpesh-herë përcillet me ankesa nga trajnerët dhe lojtarët.
Gjendja e fushës pritet të rëndohet më shumë në muajt shtator, tetor dhe nëntor, për shkak të orarit të ngeshur të ndeshjeve ndërkombëtare nga kombëtaret dhe nga klubet kosovare, raporton Gazeta Enigma.
Prishtina i luan ndeshjet si vendas në këtë stadium, përveç Prishtinës, ndeshjet si vendas në Superligën e Kosovës është duke i luajtur edhe FC Ballkani në mënyrë që të adaptohet për ndeshjet ndërkombëtare sa më mirë në këtë stadium.
Përveç këtyre dy ekipeve, fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” duhet t’i përballojë edhe ndeshjet e Kombëtares A te djemtë dhe vajzat, të grumposhave U21 dhe asaj të U17 në kualifikime.
Gazeta Enigma ka kontaktuar Drejtorin e stadiumit “Fadil Vokrri”, Benet Rezniqin dhe Federatën e Futbollit të Kosovës, për të mësuar më shumë rreth gjendjes së fushës.
Benet Rezniqi drejtor i stadiumit “Fadil Vokrri” tregon se gjendja momentale e fushës nuk është e keqe, por as në nivelin maskimal të saj. Ai ka treguar se kjo fushë ka qenë e ngarkuar në korrik dhe gusht për shkak të lojërave ndërkombtare nga klubet kosovare.
“Gjendja e fushës në muajt korrik dhe gusht ka qenë e ngarkuar me ndeshjet ndërkombëtare nga klubet kosovare që kanë marrë pjesë në këto gara. Gjendja e fushës momentalisht nuk e keqe, por as ne mirë, për shkak se ka pasur mbingarkesë. Për momentin në stadiumin “Fadil Vokrri” ndeshjet i luajnë Kombëtarja e Kosovës te meshkujt dhe vajzat, Prishtina, Ballkani dhe Kosova U21”, thotë Rezniqi për Gazetën Enigma.
Ai ka treguar se kanë bashkëpunim të mirë me FFK-në. Sipas Rezniqit, ndërtimi i kampit nacional në “Hajvali” i ka ndihmuar atyre për mirëmbajtjen e fushës, pasi shumica e stërvitjeve zhvillohen në atë kamp.
“Bashkëpunimi me Federatën e Futbollit të Kosovës ka qenë i kënaqshëm. Kampi nacional në “Hajvali” na ndihmu shumë neve, pasi kombëtaret vetëm stërvitjen e fundit para lojës e zhvillojnë në stadiumin “Fadil Vokrri”, ka thënë ai.
Paraqitja historike e Ballkanit në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës i ka dhënë presion më shumë mirëmbajtësve të fushës së stadiumit “Fadil Vokrri”, në mënyrë që të jetë në gjendje sa më të mirë.
“Fokusin e kemi në ndeshjen e Ballkanit për arsye që është hera e parë që një ekip nga Kosova paraqitet në fazën e grupeve në garat evropiane. Prandaj jemi duke punuar që gjendja e fushës për këto ndeshje të jetë sa më e mirë”, tregon Rezniqi.
Sipas Rezniqit, zgjedhja ideale për t’a çliruar stadiumin “Fadil Vokrri” nga ndeshjet e shumta është ndërtimi i një stadiumi të kategorisë së 4-të, pasi sipas tij nëse vazhdon kjo gjendje, fusha e stadiumit nuk do të jetë në gjendje ta përballojë këtë ngarkesë.
“Zgjedhja ideale për stadiumin “Fadil Vokrri është që të kemi edhe një stadion të kategorisë së 4-të që sadopak do ta lehtësonte stadiumin tonë, përndryshe shumë shpejt fusha e stadiumit nuk do të jetë në gjendje ta përballojë këtë ngarkesë”, thotë Rezniqi.
Edhe nga Federata e Futbollit e Kosovës thonë për Gazetën Enigma se gjendja e fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” nuk në gjendjen më të mirë të mundshme, por fal përkushtimit të ekipit mbikëqyrë të stadiumit mund të luhen ndeshjet aty.
“Fusha e stadiumit ‘Fadil Vokrri’ nuk është ndoshta në gjendjen më të mirë të mundshme, por aktualisht është në gjendje optimale përkundër ngarkesës së madhe. Kjo falë përkushtimit të madh të ekipit mbikëqyrës të stadiumit që punojnë pareshtur në mirëmbajtjen e fushës”, thuhet në përgjigjen e FFK-së për Gazetën Enigma.
Nga FFK-ja thonë se për ndeshjet e shtatorit gjendja nuk është shqetësuese, por ata i brengos fillimi i tetorit dhe nëntori, pasi aty do t’i luajnë ndeshjet edhe Kosova U17.
“Për ndeshjet e shtatorit gjendja nuk është shqetësuese, por ngarkesa e madhe do të jetë në fillim të tetorit, kur do të zhvillohen tri ndeshje të Kombëtareve U17 në kuadër të kualifikimeve, derisa dy ditë më pas, më 13 tetor, edhe Ballkani do ta luajë ndeshjen si vendas kundër Sivasspor në UEFA Conference League”, thonë nga FFK-ja.
Reshjet e shiut dhe moti i ftohtë sjellin shqetësim te FFK-ja për gjendjen e fushës së stadiumit “Fadil Vokrri”.
“Pra, shqetësuese mund të jetë tetori dhe nëntori, kur edhe fillojnë reshjet e shiut dhe gjendja e fushës mund të rëndohet si pasojë e orarit të ngjeshur të ndeshjeve”, shprehen të shqetësuar nga FFK-ja.
“Sa i përket Kampit Nacional në Hajvali sigurisht se ndërtimi i tij dhe kushtet që janë krijuar aty për zhvillimin e stërvitjeve të kombëtareve kanë bërë që t’i jepet frymëmarrje stadiumit ‘Fadil Vokrri’”./GAZETA ENIGMA/