Sulmuesi Mërgim Berisha do ta vazhdojë karrierën në Bundesligë. Ai do të jetë pjesë e skuadrës së Augsburgut për këtë edicion. Si Augsburgu, ashtu edhe Fenerbahçe kanë konfirmuar marrëveshjen e huazimit për sulmuesin 24-vjeçar.
“Mërgim Berisha, njëri prej lojtarëve tanë tyë ekipit A, është transferuar në Augsburg në formë huazimi”, ka njoftuar Fenerbahçe të mërkurën.
Detajet tjera nuk janë bërë të ditura, por thuhet se Augsburgu ka opsionin e blerjes së Berishës për katër milionë euro në fund të sezonit. Po ashtu, ekipi gjerman për huazimin njëvjeçar të Berishës, do t’i paguajë Fenerbahçes 300 mijë euro. “Me Mërgim Berishën, ne e kemi gjetur përforcimin që e donim për fazën e sulmit, pasi ai është i dëshmuar si një golashënues i vërtetë”, ka thënë drejtori sportiv i Augsburgut, Stefan Reuter.
Berisha iu bashkua Fenerbahçes vitin e shkuar nga Salzburgu dhe me ekipin turk ka kontratë deri në vitin 2025. Krahas Berishës, pjesë e Augsburgut është edhe Elvis Rexhbeçaj.