Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjfuca e kryeministrin Albin Kurti bënë homazhe te busti i Shën Terezës në 25 vjetorin e vdekjes së saj.
Osmani tha se përkujtojnë Shën Terezën, si nënë e madhe, e cila sipas saj, dha një shembull për të gjithë botën dhe jo vetëm për popullin shqiptar, i cili ia dha asaj botës.
“Prandaj sot, përkujtojmë me shumë krenari gjithë veprën e saj dhe shembullin që la pas duke treguar që janë dashuria, respekti e ndihma ndaj të tjerëve që duhet gjithnjë të jenë dritë udhërrëfyese në punën tonë të përditshme”, është shprehur Osmani.
Ndërsa, kreu i kuvendit, Konjufca, tha se shembulli i Shën Terezës, i ka inspiruar miliona njerëz anekënd botës, teksa shtoi se nuk duhet harruar që ajo kurrë nuk e harroi kombin shqiptar.
“Ajo gjithmonë ka qenë afër popullit tonë në ditët më të vështira edhe te udhëheqësit më të mëdhenj botëror edhe kur ka qenë nevoja, ajo gjithnjë e ka ngritur çështjen tonë”, është shprehur Konjufca.
Kurse, kreu i qeverisë, Albin Kurti, tha për Shën Terezën se nga një bij e popullit shqiptar, ajo u bë nëna e gjithë botës.
“Nëna Terezë dha gjithçka nga vetja e saj dhe nuk i mori asgjë botës. Në këtë mënyrë ajo afirmoi kombin tonë sepse sakrifica është edhe vlerë tradicionale e popullit shqiptar”, është shprehur Kurti.