Udhëheqës të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë po mbajnë takim me mësimdhënës të shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë, dhe nga aty, doli edhe kërkesa për ndërprerje të grevës.
Mësimdhënësja Festime Sijarina, nga bankat e nxënësve, kërkoi ndërprerjen e grevës si dhe “lëshim pe” nga të dyja anët.
“Gjatë krejt kohës kur je sulmuar, jam ndier baras me ty. Kur sulmohet mësuesi, unë bashkëndiej. Por për hir, tregoje që ne jemi ata njerëz me vetëdije të lartë që kurrë nuk kemi përfituar nga shteti. Pos pagave, asgjë nuk kemi përfituar. Le ta di kjo Qeveri. Bëhu më burrë se ata, trego se je më i gjerë. Në demokraci, sindikatat s’mund t’i mposhtë askush. Jemi njerëz që na njeh krejt Prishtina. Tjerët le të shpifin. Ne nuk merremi me asnjë tjetër. Thirrja ime është të bëhesh më burrë për hir të fëmijëve tanë. Bëhu burrë e trim e shtrije dorën dhe vazhdojmë me kreativitet, ta vazhdojmë punën tonë”, tha mësimdhënësja Sijarina.
Mësimdhënësit janë në grevë që nga 25 gushti, për çka edhe nuk ka nisur viti i ri shkollor.
Kërkesë e SBASHK-ut është dhënia e 100 eurove shtesë për mësimdhënësit deri në fuqizim të Ligjit për Pagat. Qeveria ka premtuar nga 50 euro për tre muajt e ardhshëm.
Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, shpreson që presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do ta bindë kryeministrin Albin Kurti, që të pranojë kërkesat për ndalje të grevës. Ai shtoi se nuk ka si ta mbyll grevën kur Qeveria nuk po ulet tw bisedojw me SBASHK-un.
“Nuk kam si me mbyll grevën pa biseduar Qeveria me ne. Po u dorëzuam tani dije se të zezat nuk kanë me u ndal. Unë grevën nuk e mbyll se nuk e kam shpall, për ju është shpallur greva. Ne jemi heronj të kohës, por për t’i mësuar këto fëmijë qeveria duhet të na ofrojë kushte”.
“Presidentja na ka premtuar që do ta bindë qeverinë që të bisedojë me ne. S’kemi lënë opsion që s’kemi provuar, pasi ne grevën nuk e duam. Shuma prej 50 euro nuk është e mjaftueshme, për lëmoshë. Ne mund ta kërkojmë njëri-tjetrit. Erdha në këtë shkollë që e mban emrin e një heroi të kombit tonë. Erdha t’ju them se ne grevën do ta vazhdojmë. Grevën do ta shpallim të mbyllur para mediave, u munduan dje edhe nëpër takime që të ndajnë komunat, më mirë do të kishe qenë që kryetarët të flasin me kryeministrin. Po ashtu kemi informata edhe për ato komuna që u tha se u ndal greva, nuk është e vërtetë, greva do të vazhdojë. Ka lëvizje të vogla, e ne shpresojmë që do të bëhen më të mëdha”, tha Jasharaj.