Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka kërkuar nga Qeveria që t’i ndajë nga 50 euro për punonjësit e sektorit privat, pa i kushtëzuar kompanitë për rritje pagash.
Azemi ka thënë se të hënën do t’i dërgojë letër kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, që t’i ndajnë mjetet që janë planifikuar për këtë sektor, pa kushtëzime për kompanitë, përndryshe punëtorët mund të mbesin edhe pa këtë subvencion.
Ai më tej ka njoftuar se Qeveria nuk e ka ftuar këtë sindikatë për sugjerime apo bashkëpunim në mënyrë që të merren këto vendime.
Qeveria ditë më parë ka premtuar se do të subvencionojë kompanitë private që ua rrisin punonjësve pagën. Sipas vendimit, subvencionimi do të jetë 50 për qind për rritjet deri në 100 euro dhe për tre muaj.
“Nëse Qeveria e Kosovës e heqë kushtëzimin që ne do të japim para rreth 50 euro nëse i jep edhe kompania, nëse mbetet ky vendim si është, unë them lirisht se njëfarë kosto që ne e kemi llogaritur do të jetë diku rreth 30 milionë euro për 30 ditë, nëse nuk e heqë kushtëzimin për të dhënë mjete edhe kompania, realisht kjo pako për ne nuk do të ekzistojë. Ka shumë kompani që nuk mund ta bëjnë shtesën prej 50 euro, nëse mbetet ky kushtëzim, diku 1000 ose 2000 punëtorë mund ta gëzojnë këtë të drejtë”, ka thënë ai.
Azemi ka njoftuar se i është kërkuar nga shumë punëtorë që të mbahen greva edhe nga ky sektor, por thotë se nuk do ta rëndojë situatën edhe më shumë.
“Nëse dikush ka arsye të bëjë grevë, ne jemi të parët, qysh nesër jemi të gatshëm për grevë, por nuk duam që ta rëndojmë situatën edhe më shumë”, ka thënë ai.