Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmon se kanë nisur hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Ju njoftojmë se rasti për të cilin keni parashtruar pyetje është duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit”, tha Ulaj për Gazetën Enigma.
Në gusht, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka pranuar nga Agjencioni Kundër Korrupsionit kallëzim penal ndaj Berishajt.
“Ju njoftoj se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka pranuar nga Agjencioni Kundër Korrupsionit kallëzim penal kundër personit me inicialet M.B. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, kallëzimin penal e ka dërguar në kompetencë në Prokurori Themelore në Prishtinë”, tha Ekrem Lutfiu nga Prokuroria Speciale.
AKK-ja kishte nisur ta trajtojë këtë rast pas raportimeve se Berishaj nuk ka deklaruar dy bizneset që i ka në pronësi. Dy kompanitë e tij, “Myloja” dhe “Zaslon Kosova” figurojnë vetëm në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.
Ndryshe, në mediat sllovene meqë përflitej se diplomati kosovar dyshohej si i përfshirë në një skandal të shpërlajrjes së parave përmes kompanisë së tij të regjistruar në Mal të Zi.
Siç raportonin mediat në Slloveni, Berishaj dyshohej se kishte marrë 600 mijë euro nga dega e GEN-it në Beograd dhe se të njëjtat kishin përfunduar në “cash” tek politikani slloven, Robert Golob.
Vetë ambasadori Berishaj ka mohuar gjithçka, ndërkohë Prokuroria e Malit të Zi për Gazetën Express ka konfirmuar se kanë kryer hetime lidhur me rastin dhe sipas rezultateve preliminare ka rezultuar se s’ka bazë për ndjekje penale.
Gjithathtu nga Prokuroria Speciale e Malit të Zi kanë thënë se lidhur me transaksionet e parave nga GEN-i në llogari të firmës së Martin Berishajt nuk është gjetur asnjë parregullsi.