Çmimi i më të mirit në javën e gjashtë në Superligë i ka takuar futbollistit të FC Trepça’89, Christian Mba.
Për sulmuesin Mba kjo është hera e dytë që e fiton çmimin e ‘Yllit të Javës’ në këtë edicion, pasi të njëjtin e kishte fituar edhe në javën e parë.
Komisioni vlerësoi se Mba ishte protagonisti kryesor në fitoren që KF Trepça ’89 FC e arriti si mysafire në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj kundër Drenicës, me rezultat 5:2.
Christian Mba përveç se shënoi dy gola (28’, 90’) asistoi edhe në golat e shënuar nga Bleon Sekiraqa (24’) dhe Erdin Dushi (52’).
Çmimin “Ylli i Javës” për futbollistin e Trepçës’89 e dorëzoi drejtori i marketingut në Albi Mall, Albi Humolli.
Pas vlerësimit për herë të dytë me çmimin “Ylli i Javës”, Christian Mba ka thënë se ndihet i lumtur për ecurinë e mirë të tërë ekipit.
“Është një fillim i mrekullueshëm për mua dhe për skuadrën time. Jam këtu për të dhënë më të mirën time. Ky çmim nuk e pasqyron vetëm lojën time, por edhe punën ekipore të bashkëlojtarëve të mi dhe të shtabit teknik. Ne më të vërtetë po e bëjmë më të mirën me punë. Do të punojmë me përkushtim që të jemi në pjesën e epërme të renditjes dhe pse jo ta rikthejmë trofeun e kampionit në Mitrovicë dhe ta bëjmë të lumtur secilin qytetar të Mitrovicës”, ka theksuar Mba.
/Gazeta Enigma/