Shteti Japonez i ofron ndihmë Kosovës në menaxhimin e pandemisë

Shteti Japonez i ofron ndihmë Kosovës në menaxhimin e pandemisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, priti sot në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Ogasawara Mitsunori.

“Mitsunori shprehu dëshirën dhe synimin e Japonisë për thellim të marrëdhënieve me Republikën e Kosovës, ndërsa kryeministri Kurti e falënderoi për ndihmën e vazhdueshme të Japonisë dhënë Kosovës. Ai vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale duhet të thellohen në të gjitha fushat, ndërsa duhet të fillojë një kapitull i ri i bashkëpunimit ekonomik, me fokus në fushën e teknologjisë së informacionit, marrë parasysh potencialin e rinisë në Kosovë si dhe bashkëpunimin me diasporën”, thuhet në njoftim.

I ngarkuari me punë Mitsunori, ritheksoi se Kosova do të ketë mbështetje të vazhdueshme nga Japonia, përfshirë këtu ndihmën përmes grantit për adresimin e pandemisë COVID-19.

Ministri Vitia e falënderoi Mitsunorin për ndihmën në sektorin e shëndetësisë dhe bashkëpunimin aktual për të sjellë shtretër të rinj dhe pajisje mjekësore. Ai i kërkoi mbështetje për Fondin për Sigurime Shëndetësore dhe Sistemin Informativ Shëndetësor.

“Kryeministri Kurti dhe Mitsunori u pajtuan për organizimin e përbashkët të një seminari virtual biznesi për të tërheqë bizneset e Japonisë. Ata biseduan edhe për sukseset e sportistëve të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për Lojërat Olimpike në Tokio, në të cilat kryeministri Kurti tha se do të jetë i pranishëm.

I ngarkuari me punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Ogasawara Mitsunori i dorëzoi kryeministrit Kurti letër urimin nga homologu i tij japonez, Yoshihide Suga, me rastin e zgjedhjes Kryeministër i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. 

Related Articles