Alain Giresse flet për grumbullimin e Kosovës

Alain Giresse flet për grumbullimin e Kosovës

Përzgjedhësi Alain Giresse ka folur për grumbullimin e Kombëtares së Kosovës për ndeshjet e këtij muaji që i luan në kuadër të Ligës së Kombeve.

Në konferencën për shtyp të martën, Giresse më shumë është fokusuar tek lista e lojtarëve të ftuar për ndeshjet me Irlandën e Veriut dhe Qipron, në të cilat pret paraqitje të mirë të “Dardanëve”.

Ai ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse do të ketë ndryshime në formacion, por nuk ka përjashtuar një mundësi të tillë për shkak të mungesave që do t’i ketë. Kosovës për këto ndeshje do t’i mungojnë mbrojtësit e krahut, Mërgim Vojvoda e Leart Paqarada, si dhe sulmuesi Shkëlqim Vladi.

Giresse ka vajtuar mungesat që i ka, sidomos të Vojvodës e Paqaradës dhe ka thënë se ende nuk ka vendosur se me cilët futbollistë do t’i zëvendësojë ata. Ai ka thënë se për këtë grumbullim ka ftuar lojtarët që ishin në formën më të mirë në fillim të këtij edicioni dhe që janë të rëndësishëm për ekipet e tyre.

“E dini sigurisht qëllimin e këtij grumbullimin, i cili është për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve kundër Irlandës së veriut dhe Qipros. Me rastin e këtyre ndeshjeve kemi përgatitur një listë të lojtarëve dhe mënyrën se si e kemi bërë zgjedhjen e tyre është se kemi grumbulluar lojtarët të cilët kanë qenë në formë. Lojtarët që ishin të rëndësishëm në ekipet e tyre i kemi përcjell dhe ftuar për këtë grumbullim”, ka thënë Giresse që ka thënë se është me rëndësi të ftohen sa më shumë lojtarë të rinj, të cilët kanë potencial për të luajtur për Kosovën në të ardhmen.

“Është e rëndësishme që të fitojmë bazën e ekipit dhe jemi të fokusuar të sjellim sa më shumë lojtarë të rinj, të cilët në të ardhmen do të jenë pjesë e rëndësishme e ekipit. Ne kemi bazën e lojtarëve që janë të rëndësishëm, por kemi sjellë edhe lojtarët perspektiv. Kjo është kjo që e karakterizon këtë grumbullim. Sikurse herët tjera, sikurse në qershor për fat të keq përballemi me mungesa shkaku i lëndimeve dhe por edhe arsye tjera. Dhe është shqetësuese që vikendin e fundit janë lënduar disa lojtar, që do t’i zëvendësojmë me ata që i kemi në listën tjetër”.

Giresse ka thënë se problemin më të madh në këtë grumbullim e ka zëvendësimin e lojtarëve të fazës defensive.

Ai ka pranuar se është paksa problem për të gjetur zëvendësimin e duhur të Paqaradës, i cili u lëndua vikendin e shkuar në ndeshjen kampionale të St. Paulit. Po ashtu, Giresse ka zbuluar edhe arsyen që Paqarada ka vendosur të rikthehet te Kosova pas një periudhe të gjatë.

“Lista fillestare ishte në 26 pastaj është reduktuar në 23 shkaku i lëndimeve. Do të shohim cila është rruga më e mirë për ti zëvendësuar këta lojtarë. Duhet të shikojmë pozitat e të lënduarve dhe pastaj ti zëvendësojmë, pasi ende nuk kam emra konkret. Në krahasm me pjesën ofensive që kemi lojtarë nuk kemi telashe, por është pak problematike zëvendësimi i Paqaradës, pasi lojtarët tjerë kanë pak përvojë në lojërat ndërkombëtare. E për shkak të kësaj është pak problematike për të gjetur zëvendësimin e duhur”, është shprehur Giresse. “Sa i përket Paqarads, kjo nuk ishte hera e vetme qe kemi folur edhe kur nuk ishte i ftuar ne kemi pasur biseda vazhdimisht. Pas paraqitjeve të mira te St. Pauli e kam kontaktuar dhe e kam ftuar, ai nuk ka pasur ndonjë problem përveç faktit që ishte i dëshpëruar për mungesë të minutazhës”.

Giresse ka bërë të ditur se lojtarët e rinj që janë ftuar për këtë grumbullim, sigurisht që do ta kenë rastin për të luajtur, por varësisht prej situatave në ndeshje që do t’i kenë. Po ashtu, ai ka thënë se po punon vazhdimisht për të gjetur lojtarë që të pranojnë të luajnë për Kosovën, por ka një numër prej tyre që nuk e lënë të hapur një mundësi të tillë.

“Padyshim lojtarët e rinj nuk janë këtu vetëm sa për të kompletuar listën, por për të luajtur. Por edhe aktivizimi i tyre varet prej rrethanave në të cilat gjendemi. Me të rinjtë duhet të jemi të kujdesshëm sepse varësisht prej rrethanave vijnë me moral të lartë por ai mund t’u bie për shkak të rezultatit”, ka thënë Giresse, që ka bërë të ditur se Mërgim Berisha nuk po lajmërohet. “Nuk e di sa e dini mënyrën, por nuk është gjithmonë e lehtë të kontaktohen lojtarët. Ne i kontaktojmë, por nuk i kemi gjithmonë dyert e hapura dhe nuk na mirëpresin. Në momentin që lojtarët na e mbyllin derën, ne nuk merremi me ta. E rëndësishme është të fokusohemi me lojtarët tjerë dhe jo ata që na kanë mbyllur derën”.

Ndërsa, sa i përket mesfushorit Valon Berisha, Giresse ka treguar arsyen përse nuk e ka ftuar.

“Janë disa arsye që të ftohet Berisha, e para shkaku i distancës dhe e dyta për shkak se nuk ka luajtur shumë në Francë tek ekipi i tij”, shtoi Giresse.

“Sa i përket formacionin, nuk e di si do të paraqitemi pasi gjithçka do të varet prej ndeshjeve dhe do të mundohemi të kemi përbërjen më të mirë të mundshme. Formacioni duhet të ketë ndryshime për shkak se kemi mungesa dhe do të mendojmë një skemë me lojtarët që i kemi në këtë grumbullim”.

Kosova të hënën mbrëma ka nisur stërvitjet për dy ndeshjet e fundit të edicionit të tretë të Ligës së Konferencës. Po ashtu, të martën ka mbajtur një stërvitje paradite në qendrën nacionale në Hajvali, ndërsa në mbrëmje do të stërvitet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Më 24 shtator, Kosova luan në Belfast ndaj Irlandës së Veriut kurse tri ditë më vonë, e pret Qipron në Prishtinë. Këto ndeshje i takojnë Grupit 2 të Ligës C, në të cilin Kosova zë vendin e tretë me gjashtë pikë.

Related Articles