Federata e Futbollit e Kosovës është bërë pjesë e fushatës “Bashkohu, Shpëto Jetë“ të organizatës “Action for Health”, në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin te Fëmijët, me ftesë të kryetarës së kësaj organizate, Nezaqete Rukovci.
Me këtë rast, sot, presidenti Agim Ademi, në shoqëri të drejtorit të Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe futbollistëve Samir Ujkani, Vedat Muriqi, Amir Rrahmani e Milot Rashica si dhe kreut të grupit të tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha, e kanë vizituar Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë, me ç‘rast kanë bërë shpërndarjen e fanellave, topave dhe shalleve të kombëtares për fëmijët që janë të shtrirë në këtë klinikë për mjekim.
Presidenti Ademi ka falënderuar stafin e kësaj klinike për kujdesin e vazhdueshëm ndaj fëmijëve të prekur me kancer, si dhe shprehu gatishmërinë e FFK-së për të mbështetur fushatat e ndërgjegjësimit të kësaj klinike, por edhe për format e tjera të përkrahjes e bashkëpunimit. Ademi dhe futbollistët e kombëtares uruan që fëmijët e shtrirë në këtë klinikë sa më parë ta kalojnë këtë sfidë dhe t’u kthehen familjeve të tyre dhe jetës normale.
Ndërkaq, drejtoresha e SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu Raci dhe stafi i Klinikës së Pediatrisë në krye me drejtoreshën Violeta Grajçevci Uka i falënderuan krerët e FFK-së dhe futbollistët e Kombëtares që iu përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u bërë pjesë e fushatës në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin te Fëmijët.
Gjatë vizitave në Repartin e Onkologjisë, njëri nga pacientët u shpreh tejet i lumtur që pati rastin t’i takojë yjet e Kombëtares dhe i pyeti ata për ndjenjën e të shënuarit gol në fanellën dardane, teksa theksoi se pikërisht atë ndjenjë gëzimi do ta ketë edhe ai kur të shërohet nga sëmundja dhe kur do të ketë mundësinë për të qenë në tribunat e stadiumit në përkrahje të futbollistëve të Kombëtares drejt triumfeve të reja.