Bislimi takon kryetarin e Parlamentit të Landit të Austrisë së Ulët, flasin për vizat

Bislimi takon kryetarin e Parlamentit të Landit të Austrisë së Ulët, flasin për vizat

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim kryetarin e Parlamentit të Landit të Austrisë së Ulët, Karl Wilfing, shoqëruar nga nënkryetari i parë, Karl Moser, deputetët Rene Pfister e Dieter Dorner, zëdhënësi Christoph Fuchs, Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger dhe zëvendës ambasadori Martin Schaller.

Në këtë takim, Bislimi foli mbi prioritetet e qeverisë në agjendën ambicioze të këtij viti në integrimin evropian. Pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Kosova synon të aplikojë për anëtarësim në BE brenda këtij viti.

Çështje tjetër me rëndësi ishte dhe tema e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ku u theksua nevoja për përfundimin e këtij procesi dhe pritjes së gjatë për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, Bislimi e njoftoi Wilfing dhe delegacionin për avancimet që ka bërë Kosova në zhvillim ekonomik, sundimin e ligjit, demokratizimin, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Përballimi i sfidave të përbashkëta, siç është aktualisht kriza energjetike dhe inflacioni ishin tema të tjera të diskutimit.

Bislimi e falënderoi delegacionin për vizitën duke theksuar partneritetin e ngushtë me shtetin e Austrisë dhe gatishmërinë e plotë për avancimin e bashkëpunimit mes nesh.

Related Articles