Anglia dhe Gjermania e mbyllën ndeshjen e Nations League me një barazim spektakolar 3-3, ndërsa tek “Tre Luanët” Harry Maguire si zakonisht në këto sfidat e fundit, përfundoi nën akuzë. Mbrojtësi i Manchester United shkaktoi penalltinë që u shndërrua në gol nga Gundogan teksa u driblua në mënyrë spektakolare nga ana e Musialës. Megjithatë, në krah të Maguire, dalin shokët e skuadrës, mbi të gjithë Harry Kane dhe Luke Shaw. Sulmuesi e vlerësoi Maguire për sakrificën pasi zbuloi se mbrojtësi luajti i dëmtuar në minutat e fundit.
“Në çdo gabim që bën një futbollist, ai menjëherë kritikohet, por ne jemi një skuadër dhe e mbrojmë njëri-tjetrin. Jam i sigurt se Maguire, por edhe Pope do të mësojnë nga gabimet. Ata kanë qenë të mrekullueshëm prej momentit kur e kanë veshur këtë fanellë. Më duhet të them se Maguire pësoi një dëmtim në fund dhe pesë minuta apo 10, i luajti me një këmbë. Tregoi shumë karakter dhe unë jam renar për të”, tha Kane.
Ndërkohë, Shaw, shtoi se shoku i skuadrës tek United po goditet më shumë se sa e meriton.
“Harry është një lojtar i mrekullueshëm, por gjithashtu edhe një person me shumë karakter. Kam përshtypjen se po e godasin më tepër seç duhet. Por, ai nuk fshihet kurrë dhe është gjithnjë prezent. Persona të tjerë edhe mund të kishin zgjedhur të fshiheshin, por ai mbetet në qendër të vëmendjes. Të gjithë e dimë se është një lojtar i jashtëzakonshëm, por konfidenca normalisht nuk mund të jetë e lartë për të në këto momente pasi duket sikur ka të gjithë botën kundër”, tha Shaw.