“Kurti dëshiron të tregojë se është i panënshtruar”, Murati i reagon Krasniqit

“Kurti dëshiron të tregojë se është i panënshtruar”, Murati i reagon Krasniqit

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqit, i cili në seancën e sotme të Kuvendit duke folur për grevën në arsim tha se kryeministri Albin Kurti po dëshiron të tregojë se është i panënshtruar.

Në replikën e tij, Murati ka thënë se kjo deklaratë e Krasniqit nënkupton se tentativa e tyre ka qenë për ta nënshtruar Qeverinë e Kosovës.

E nëse ky ka qenë synimi i opozitës ndaj ekzekutivit sipas Muratit është për keqardhje pasi nga greva në arsim po humbin nxënësit dhe shteti.

“Do të doja t’i referohesha fjalimit të deputetit Krasniqi që tha se kryeministri po don të tregohet se është i panënshtruar. A i bie kjo që ju keni dashur ta nënshtroni Qeverinë se goxha të zhgënjyer po dukeni nga rezultati? Nëse ky ka qenë synimi është për keqardhje se janë humbur shumë orë e ditë të mësimit për nxënësit e ju e shikoni se a po nënshtrohet qeveria”, është shprehur ministri para deputetëve.

Tutje, ai ka pyetur opozitën se “cila është hallka e radhës shtetërore që do ta keqpërdorni në mënyrë që të tentoni ta gjunjëzoni qeverinë?”.

“Vetëm do t’i shkaktoni dëm shtetit sepse Qeveria e ka mandatin e plotë dhe më të fortë se çdo Qeveri tjetër”, ka shtuar tutje Murati. 

Related Articles