Drejtori për Ballkan në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe njëkohësisht ambasadori në Maqedoninë e Veriut , Dan Oryan, ka folur për konfliktin e fundit që po zhvillohet në Izrael në mes të këtij të fundit dhe palestinezëve.
Ndër të tjera Oryan tha se Izraeli e konsideron mike të ngushtë Kosovën. Sipas tij, Kosova duhet t’i dënojë sulmet në Gaza.
“Pa dyshim, në këto momente, kur Izraeli është nën sulm, ne presim nga miqtë tanë të ngushtë – dhe ne e shohim Kosovën si mike të ngushtë – që të deklarojnë qartazi se sulmet ndaj civilëve, se raketat nga Gaza, qartazi nga popullsi të dendura, në drejtim të Izraelit, drejt civilëve, janë të papranueshme – jo vetëm ilegale, të papranueshme, dhe të kërkoni që ato të ndalen. Kjo është diçka që amerikanët e bënë dje, u zhvillua një bisedë mes Benjamin Netanyahut dhe presidentit Biden dhe kjo është saktësisht ajo që tha ai. Pas bisedës, ai tha para gazetarëve se është e papranueshme dhe se të shtënat nga Gaza duhet të ndalen menjëherë dhe në thelb kjo është ajo që ne presim nga miqtë tanë të ngushtë”, ka thënë Oryan në T7.
Tutje ambasadori tha se Hamasi është vetëm një organizatë terroriste që lanson mijëra raketa mbi Izraelin.
“Në rend të parë dhe mbi të gjitha, është organizata e Hamasit, që në deklaratën e saj, në kushtetutën e saj e ka thirrjen për vrasjen e hebrenjve. Nuk ka të bëjë asgjë me Malin e Tempullit (Xhamia Al-Aqsa), me asgjë tjetër. Kështu thuhet në mënyrë specifike aty. Vrasja e hebrenjve është një nga objektivat e kësaj organizate dhe fatkeqësisht ata e kanë marrë peng tërë popullin e Gazës”, është shprehur ambasadori Oryan.