Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Lajmi është konfirmuar pasi është publikuar letra e dorëheqjes.
“Me zhgënjim të thellë, dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit po ju informoj se në mënyrë efektive ofroj dorëheqjen”, thuhet në letrën e dorëheqjes së Latifit për kryeministrin Albin Kurti.
Por, kush do të jetë në krye të dikasterit të Shëndetësisë?
Në lidhje me këtë tematik Gazeta Enigma ka kontaktuar me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili është edhe anëtarë i Komisionit për Shëndetësi, ku me plotë bindje thotë se Ministër i Shëndetësisë është Albin Kurti.
‘’Prej emërimit të Komisionit Ekzekutivë për Shëndetësi de fakto Ministër i Shëndetësisë është Albin Kurti’’ , tha Haxhiu për Enigmën.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar edhe me gazetarin e shëndetësisë, Bujar Vitjën, i cili ka deklaruar se Kurti nuk duhet të eksperimentoj ose të provoj më ministra në shëndetësi.
“Unë nuk e di se kush mund të jetë ministri i ardhshëm, por konsideroj se Kurti nuk duhet të eksperimentoj ose të provoj më ministra të shëndetësisë”, tha ai.
Vitija: Duhet të vijë dikush që e njeh mirë këtë sektor dhe i njeh mirë problemet
Sipas tij ministri i ardhshëm do të përballet me probleme të shumta teknike duke përshirë kë edhe problemin më të madh aktual në shëndetësi, me ikjen e mjekëve.
‘’Ndryshe do të jetë një dështim i radhës. Sfidat me të cilat do të ballafaqohet ministri i ardhshëm është reformimi i sistemit dhe në të njëjtën kohë përballja me ikjen e mjekëve’’, ka deklaruar Vitija për Enigmën.
Tutje Vitija ka shtuar se ministrin e shëndetësisë e presin edhe shumë probleme tjera që janë prezentë gati se në të gjitha spitalet dhe klinikat në vend.
‘’Dhe problemet tjera të vjetra të cilat vazhdojnë të mbesin po aty, mungesa e sigurimeve shëndetësore, mungesë e barnave dhe materialeve, dhe infrastruktura e dobët në shumë klinika e spitale’’, tha Vitija.
Deri në emërimin që pritet ta bëjë kryeministri Albin Kurti, ministrinë do ta drejtojë zëvendësministrja Dafina Gexha Bunjaku, shkruan Gazeta Enigma.
Kujtojmë se ajo e kishte drejtuar këtë ministri edhe kur Arben Vitia ishte larguar nga aty, deri në emërimin e Latifit.
/Gazeta Enigma/