Rumania synon ta fitojë grupin, Zvicrën e sheh si favoriten kryesore

Rumania synon ta fitojë grupin, Zvicrën e sheh si favoriten kryesore

Përzgjedhësi i Rumanisë, Edward Lordanescu, e ka vlerësuar grupin kualifikues për Euro 2024 si të kalueshëm, por ka nënvizuar se duhet pasur kujdes nga të gjitha përfaqësueset. Iordanescu është në krye të Rumanisë, një prej kundërshtareve të Kosovës në Grupin I kualifikues për Evropianin që do të mbahet në Gjermani pas dy vjetësh. Iordanescu të mërkurën në një konferencë për media ka thënë se Zvicra është favorite e grupit. Veç Kosovës, Rumanisë e Zvicrës, në Grupin I janë edhe Bjellorusia, Andorra dhe Izraeli.

“Zvicra po shihet si favorite e grupit, por kjo nuk do të thotë se ne nuk do të hyjmë në ndeshje me vetëbesim, se ne nuk do t’i shfrytëzojmë shanset tona për të ecur para drejt qëllimit për kualifikim në fazën finale të Evropianit. Për mua, prezenca në atë fazë është e obligueshme, përndryshe, do të jetë fundi i rrugëtimit”, tha Iordanescu. Ciklin kualifikues të Evropianit 2024 në Gjermani, Rumania e nis në udhëtim tek Andorra, ndeshje kjo që do të luhet në fund të muajit mars të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, kundër Kosovës luan më 16 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kualifikimet i mbyll me duelin kundër Zvicrës më 21 nëntor, po ashtu të vitit të ardhshëm.

“Ne nuk mund ta heqim Kosovën, as Bjellorusinë e as Izraelin nga ekuacioni i kualifikimeve. Secila skuadër i ka shanset e veta dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë mundësitë tona. Ne duhet ta ngremë nivelin dhe është shumë e rëndësishme që lojtarët tanë të kenë sukses në nivel klubesh, ta shfaqin veten dhe të vijnë në përfaqësuese me parametrat më të mirë”, nënvizoi Iordanescu. “Është shumë e rëndësishme për ta nisur mbarë kampanjën. Grupi është shumë i balancuar, por ne duhet të kemi vetëbesim. Ne kemi mundur të kishim grup edhe më të vështirë sesa ky. Por, ne duhet të synojmë sa më lart që është e mundur. Pse jo? Le ta sulmojmë vendin e parë”, përfundoi ai.

Ndeshjet kualifikuese të Evropianit 2024 zhvillohen nga muaji mars e deri në muajin nëntor të vitit 2023. Dy skuadrat e para të secilit grup kualifikohen tutje. Tri ekipe të tjera do ta sigurojnë fazën finale të turneut pas plejofit të Ligës së Kombeve, që luhet në muajin mars. Gjermania, e cila është organizatore, do të kualifikohet automatikisht.

Një ditë pas tërheqjes së shortit për Evropianin e këtij viti, Federata e Futbollit e Rumanisë u dha kahe politike ndeshjeve me Kosovën.

“Duke marrë në konsideratë faktin që Rumania dhe Kosova janë në një grup në kualifikimet për Euro 233024 dhe duke marrë për bazë situatën gjeopolitike, Federata e Futbollit të Rumanisë do të ketë dialog me Qeverinë e Rumanisë për të mësuar kushtet për ndeshjet në të cilat përfaqësuesja jonë do të takohet me Kosovën”, ishte përgjigjur Federata rumune për sajtin “gsp.ro”.

Ide absurde janë paraqitur edhe nga shteti rumun. Ministri i Punëve të Jashtme të Rumanisë, Teodor Melescanu, ka thënë të hënën se Rumania nuk duhet të luajë ndaj Kosovës, përfaqësueses së shtetit që nuk e njeh. Sipas tij, Rumania do të duhej të pajtohej me dy humbje me rezultatin zyrtar 3:0 dhe të mos paraqitet në fushë ndaj Kosovës.

Related Articles