Ballkani e ka dërguar futbollin e Kosovës në një nivel krejtësisht të ri. Skuadra nga Suhareka po shkruan historinë me gërma të arta, teksa pas titullit të parë kampion, ka siguruar pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Konferencës. Një arritje si askush tjetër në Kosovë, ndërsa në Shqipëri e ka bërë më parë vetëm Skënderbeu. Ilir Daja ka arritur të krijojë një grup fitues, që nuk trembet as kur përballë ka skuadra me buxhet shumë herë më të lartë se ta.
Një pikë kyçe në formacionin e Ballkanit është edhe Meriton Korenica. Futbollisti 25-vjeçar ka bërë mirë me fanellën e skuadrës suharekase dhe tashmë po shijon momentet më të lumtura në karrierën e tij. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Korenica rrëfen më tepër reth këtij Ballkani të jashtëzakonshëm.
“Jam munduar gjithmonë të jap maksimumin dhe të ndihmoj ekipin. E prisja, se kam punuar shumë mirë dhe gjithmonë jam i gatshëm të jap më të mirën. Golat janë motiv shtesë dhe shpresoj të ndihmoj ekipin ende më shumë. Trajneri Daja më ka ndihmuar shumë duke më këshilluar dhe duke më dhënë detyrat që duhet ti kryej në lojë. Jam munduar gjithmonë ti kryej ato që m‘i ka dhënë si mua, ashtu edhe ekipit. Është një detajist i madh dhe gjithmonë e kërkon maksimumin, si në stervitje, ashtu edhe në lojë. Mundohet të nxjerri më të mirën që ka një lojtar. Është një trajner me shumë eksperiencë dhe kjo na ka ndihmuar edhe ne shumë në garat europiane.
Jemi shumë të ndërgjegjshëm, duke e ditur që përfaqësojmë gjithë shqiptarinë dhe dua ti falenderoj të gjithë për përkrahjen që po na japin deri në këto momente. Besoj që edhe ne i kemi kënaqur me lojrat e mira në këto gara dhe do mundohemi deri në fund t‘i përfaqësojmë në mënyrën më të mirë të mundshme“, ka thënë fillmisht Korenica.
Në fund 25-vjeçari flet edhe për Kombëtaren. Pjesë e ekipeve zinxhirë të Kosovës, por fanellën e ekipit A ende nuk e ka provuar. Sigurisht, zgjedhjet e tij janë dy. Në njërën anë Kosova, e në tjetër është Shqipëria. Për të është një ëndërr të luajë për një prej dy përfaqësueseve të shqiptarëve.
“Kombëtarja është një ëndërr. Unë isha në të gjitha grupmoshat nga U19 deri në U21-shin e Kosovës dhe nuk jam ftuar asnjëherë në Kombëtaren A. Jam i gatshëm gjithmonë. Për momentin nuk kam ftesë as nga Shqipëria, as nga Kosova, por të dyja janë ëndërr“, është shprehur Meriton Korenica.