Mediat në Rumani vazhdojnë të merren me propozimin e palogjikshëm për të anuluar ndeshjet me Kosovën.
osova e Rumania janë në një grup në kualifikimet për Euro 2024, ndërsa menjëherë pas shortit një politikan rumun kërkoi që Federata të anuloi ndeshjet ndaj Kosovës edhe me kusht që ato t’i humb me rezultatin zyrtar, 3:0. Kjo, për faktin që Rumania nuk e njeh shtetin e Kosovës.
Për këtë temë së fundi ka folur edhe selektori i Kosovës, Alain Giresse. Ai është deklaruar për sajtin rumun, “playsport.ro”. Francezi Giresse ka thënë se nuk do të ishte i lumtur nëse Kosova do të merrte gjashtë pikë në tavolinë për ndeshjet me Rumaninë.
“Më falni por kjo nuk është çështje për mua. Është çështje që nuk më brengos. Por unë nuk do të isha i lumtur aspak nëse do të fitonim në tavolinë. Do të ishte e pakëndshme. Ne preferojmë të luajmë dhe që pikët të vendosen në fushën e lojës, jo prapa skenës. Edhe në Francë ka pasur njerëz që kanë diskutuar idenë që përfaqësuesja mos të luaj në Botërorin në Katar për arsye politike. Nuk mbaj mend që ka pasur ndalesë në short që Kosova e Rumania të mos jenë në grupin e njëjtë. Kështu që pres t’i shoh rumunët në fushë”, ka thënë Giresse.
Federata e Futbollit të Rumanisë ka pranuar se do të diskutojë me Qeverinë e Rumanisë për ndeshjet me Kosovën.
Kosova e Rumania janë takuar në sportet e tjera. Për shembull në hendboll, Kosova e ka mposhtur Rumaninë në Bukuresht. Dhe janë respektuar të gjitha simbolet.
Është pak e besueshme që Rumania mund të vendosë për të anuluar ndeshjet me Kosovën. Një vendim i tillë do të sillte sanksione të mëdha ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë.
Selektori i Kosovës u ka thënë rumunëve se më nuk kanë përfaqësuese të fortë si dikur.
“Nuk do të thosha që jam optimist vetëm për faktin që Rumania mbeti e fundit në Ligën e Kombeve. Gjërat nuk gjykohen ashtu. Zvicra është favorite e grupe, ndërsa Kosova, Rumania, Izraeli dhe Bjellorusia mund të zënë vendin e dytë në grup”, ka theksuar Giresse.