Juventusi në prag të eliminimit nga Championsi, shpëtimin e kërkon në Lisbonë

Juventusi në prag të eliminimit nga Championsi, shpëtimin e kërkon në Lisbonë

Juventusi po e shikon eliminimin e hershëm nga Liga e Kampionëve, ndërsa përgatitet të udhëtojë në Lisbonë që të përballet me Benfican. Skuadra italiane e di se fatin nuk e ka në duart e veta.

Një start katastrofik i sezonit e ka lënë Juventusin jashtë ritmit në Serie A dhe fare pranë një eliminimi të turpshëm nga gara më prestigjioze e Evropës për klube.

Me tri pikë pas katër ndeshjeve të luajtura në Grupin H, skuadra e Massimiliano Allegrit është pesë pikë prapa kundërshtares të së martës, Benficas, dhe liderit të grupit, Paris Saint-Germainit. Duke e pasur parasysh këtë situatë Juventusit i duhet patjetër t’i fitojë të dy ndeshjet e fundit për të pasur ndonjë shans për të avancuar në fazën e nokautit.

Duelin e parë Juventusi e luan të martën prej orës 21:00 në udhëtim te Benfica, përpara se të përballet me PSG-në. Por edhe nëse arrin të fitojë fillimisht në Lisbonë dhe më pas ndaj PSG-në në Torino javën e ardhshme, Juventusi nuk e ka të sigurt kalimin tutje. Kjo për shkak se si Benficas, ashtu edhe PSG-së i mjafton fitorja ndaj Maccabi Haifas. Për të avancuar tutje, Juventusi, që u mposht para dy javësh nga Maccabi Haifa, ka nevojë që ekipi nga Izraeli të fitojë ose të barazojë ndaj PSG-së apo Benficas.

“Ndeshja kundër Benficas është shumë e rëndësishme për dy arsye. E para, ne nuk jemi eliminuar nga Championsi dhe e dyta, ne nuk e kemi të sigurt as pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. Kështu që të gjithë lojtarët e kanë parasysh këtë dhe pres ta japin më të mirën për ta fituar këtë ndeshje në Lisbonë”, ka thënë trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri. “Përballemi me një ekip shumë të fortë, por ne do të dalim në fushë për t’u hakmarrë për humbjen që Benfica na e shkaktoi në Torino. Jam optimist për këtë, pasi ekipi ka vetëbesim dhe këtë e dëshmoi në ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Empolit”.

Në duelin e luajtur të Torino, Juventusi pësoi nga Benfica 2:1, edhe pse ishte në avantazh me golin e hershëm të Arkadiusz Milikut. Në ekip për ndeshjen në Lisbonë, Allegri nuk e ka përfshirë sulmuesin e krahut, Federico Chiesan. Chiesa javën e kaluar është rikuperuar plotësisht nga lëndimi, por Allegri nuk ka dashur ta rrezikojë për këtë ndeshje. Krahas Chiesas, Juventusi do të jetë pa Angel Di Marian, Leandro Paredesin, Paul Pogban dhe Gleison Bremerin.

“Prej fillimit të ndeshjes do ta kërkojmë fitoren për shkak se nuk kemi asgjë ende të sigurt”, insistoi Allegri.

Për dallim prej Juventusit që ka tri humbje karshi një fitoreje, Benfica nuk di për disfatë në fazën e grupeve. Ka dy fitore e po aq barazime, sikurse Paris Saint-Germaini që i prin grupit për shkak të goldallimit më të mirë. Benfica edhe në kampionat nuk di për humbje pas dhjetë xhirove të zhvilluara dhe i prin tabelës.

Trajneri i Benficas, Roger Schmidt, pret një ndeshje edhe më të vështirë në Lisbonë se ajo në Torino. Ai e ka parasysh se Juventusi do ta kërkojë fitoren në këtë përballje. Mirëpo, Schmidt beson se Benfica do të vazhdojë me paraqitje të mirë edhe në këtë ndeshje, në të cilën i mjafton vetëm një pikë për ta konfirmuar kalimin nga faza e grupeve.

“Ishte një ndeshje e vështirë edhe në Torino, por ne luajtëm shumë mirë. Tani na pret një ndeshje edhe më e vështirë në shtëpi dhe jemi të fokusuar për të marrë një rezultat pozitiv. Situata është e qartë, ne e kemi një epërsi të vogël, por të gjitha ekipet ende mund të kualifikohen në fazën tjetër”, është shprehur Schmidt. “Juventusi është ekip i madh, me lojtarë fantastikë dhe do të na sulmojë prej fillimit të ndeshjes. Presim Juventusin më të mirë të mundshëm në këtë ndeshje dhe jemi të gatshëm të përballemi me të. Juventusi ka përvojë dhe traditë në këtë nivel, kështu që duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe ta ndëshkojmë duke e sulmuar në pikat e dobëta që ka”.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Parisi është favorit përball Maccabi Haifas. PSG-ja e pret në shtëpi skuadrën izraelite, prej orës 21:00.

E martë

Grupi E

Salzburg – Chelsea (18:45)

Dinamo Z. – Milan (21:00)

1. Chelsea 4 7

2. Salzburg 4 6

3. Milan 4 4

4. Dinamo Z. 4 4

Grupi F

Celtic – Shakhtar D. (21:00)

Leipzig – Real Madrid (21:00)

1. Real Madrid 4 10

2. Leipzig 4 6

3. Shakhtar D. 4 5

4. Celtic 4 1

Grupi G

Sevilla – Copenhagen (18:45)

Borussia D. – Man. City (21:00)

1. Man. City 4 10

2. Borussia D. 4 7

3. Sevilla 4 2

4. Copenhagen 4 2

Grupi H

Benfica – Juventus (21:00)

PSG – Maccabi H. (21:00)

1. PSG 4 8

2. Benfica 4 8

3. Juventus 4 3

4. Maccabi H. 4 3

Related Articles