Mediat ndërkombëtare shkruajnë për braktisjen e institucioneve të Kosovës nga serbët

Mediat ndërkombëtare shkruajnë për braktisjen e institucioneve të Kosovës nga serbët

Në orët e pasdites së sotme, përfaqësuesit e Listës Serbe bënë publik vendimin për largim nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Ky vendim i tyre erdhi si shenjë proteste si pasojë e shkarkimit të një zyrtari policor i cili nuk zbatoi vendimin e Qeverisë për targat e automjeteve.

Për këtë zhvillim po raportojnë edhe mediat dhe agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.

“Reuters”-i shkruan se si autoritetet e Kosovës gjatë kësaj jave shkarkuan nga detyra një zyrtar të lartë policor në veri, atje ku jeton një pjesë e madhe e qytetarëve serbë, e të cilët po refuzojnë të respektojnë vendimin për ndryshim të targave nga ato të lëshuara nga Serbia, në RKS. Ndryshimi ka ndezur çështje shpërthyese rreth sovranitetit të Kosovës, veçanërisht në mesin e pakicës së saj serbe, shumë prej të cilëve ende dëshirojnë që ish-krahina serbe të jetë pjesë e Serbisë dhe jo e pavarur, shkruan Klankosova.tv.

Në artikull sqarohet dhe procedura rreth kalimit nga targat ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës, në ato legale të Republikës së Kosovës.

Serbët kanë një ministër qeveritar, 10 deputetë dhe poste tjera të larta në komuna, polici e gjyqësor. Të gjithë dhanë dorëheqje dhe zyrtarët policorë simbolikisht zhveshën uniformat e tyre pas një takimi të shtunën. Efekti i dorëheqjes masive mbetet i paqartë.

Ngjashëm ka raportuar edhe agjencia e lajmeve AP. Në këtë artikull shkruan se mosmarrëveshja rreth targave ka nxitur tensione mes Serbisë dhe Kosovës.

Pas një takimi mes përfaqësuesve politikë serbë në veri të Kosovës, ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, tha se po jepte dorëheqje nga posti i tij në qeverinë e Kosovës.

Ai u tha gazetarëve se edhe bashkëpunëtorët e tij përfaqësues të pakicës prej “50 mijë serbëve” në veri po ashtu kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në administratën komunale, në gjykata, polici si dhe në Kuvend e në Qeveri në Prishtinë.

Rakiqi, gjithnjë sipas AP-së, tha se nuk do të marrin në konsideratë kthimin në postet e tyre përveç nëse Prishtina e anulon vendimin për ndryshimin e targave të vjetra të veturave të tyre.

Ai tha po ashtu se kanë kërkuar edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe për t’u dhënë rajoneve me shumicë serbe autonomi më të madhe.

Aty përmendet edhe deklarata e Blerim Velës, shef i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i cili akuzoi Beogradin për synim të destabilizimit të Kosovës duke mbështetur serbët në veri.

Raportimet e “Reuters”-it dhe të AP-së i kanë ritransmetuar edhe shumë media tjera të mëdha ndërkombëtare. 

Related Articles