Kapiteni i Prishtinës, Lorik Boshnjaku, e ka cilësuar si të pabesueshme ndjesinë e fitimit të titullit të parë në karrierën e vet në Superligë.
Mesfushori prishtinas e udhëhoqi klubin bardhekaltër si kapiten drejt titullit të parë pas plot tetë vjetëve, raporton Gazeta Express.
Prishtina e fitoi titullin falë fitores 2:1 kundër Gjilanit në ditën e parafundit të sezonit 2020/21 në Superligë.
Ishte titulli i parë për 25-vjeçarin në ligë dhe i pari për klubin e tij që prej vitit 2013.
I pyetur se si ndihet pas fitimit të titullit, Boshnjaku tha: “Ndjenjë e pabesueshme sepse kemi pritur shumë vjet dhe kemi qenë disa herë shumë afër, natyrisht se jam shumë I lumtur”.
“Kemi pasur ulje dhe ngritje në fillim por ia arritëm. Titullin ia dedikoj bashkëlojtarëve, plisave dhe familjes time”, shtoi ai.
Prishtina i mblodhi 78 pikë nga 35 ndeshje këtë sezon, pesë më shumë se Drita që e mposhti Drenicën, dhe shtatë më shumë se Ballkani, të cilin e pret në Fadil Vokrri në ditën e fundit të sezonit javën e ardhshme.