Grupi Punues i Komisionit Evropian pritet të takohet të mërkurën e 16 nëntorit, kur do të procedojë dokumentin për liberalizimin e vizave për Kosovën, raporton Gazeta Enigma.
Kështu ka bërë të ditur korrespondentja e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina, e cila ka marrë pjesë në bisedën e hapur të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur në Prishtinë, me temën “Liberalizimi i vizave për Kosovën: Fillimi i fundit”.
Tuhina ka deklaruar se nëse nuk do të ketë kundërshtime nga shtetet anëtare, pritet që nga 1 dhjetori i vitit 2023, kosovarët të lëvizin pa viza.
Lidhur me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar me njohësin e çështjeve ndërkombëtare, Amir Shabani.
Sipas tij në ditën e nesërme ku do të bëhet e ditur data se kur do t’i hiqen vizat Kosovës, nuk duhet të ketë kundërshtime nga shtetet anëtare, pasi që kriteret nga ana e Kosovës janë realizuar pesë vite më parë.
“Sa i përket datës së heqjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, për të cilën pretendohet se do bëhet e ditur nga nesër (16.11.2022), është mbajtur një bisedë e hapur e organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur në Prishtinë, me temën “Liberalizimi i vizave për Kosovën: Fillimi i fundit”. Nëse nuk do të ketë kundërshtime nga shtetet anëtare (e që realisht s’duhet të ketë për shkak përmbushjes së gjitha kritereve nga ana e Kosovës pesë vite më parë), pritet që nga 1 dhjetori i vitit 2023, kosovarët të lëvizin pa viza”, u shpreh Shabani.
Shabani theksoi se sistemi ETIAS mund ta shtyej liberalizimin e vizave më së voni më 1 dhjetor të vitit 2023, pasi që disa diplomat të BE-së kanë deklaruar se liberalizimi i vizave mund të nisë me 1 nëntor 2023.
“Sipas disa diplomatëve të BE-së, liberalizimi mund të nisë edhe më 1 nëntor 2023, në rast se në atë datë nis edhe funksionimi i ETIAS-it. Por, nëse ky sistemi i fundit nuk do të jetë i gatshëm apo nuk do të nisë që të zbatohet, atëherë liberalizimi i vizave gjithsesi do të nisë më së voni më 1 dhjetor të vitit 2023”, deklaroi Shabani.
“Mendoj se diplomacia evropiane e konsideron këtë gjë si të rëndësishme për Kosovën pasi në këtë mënyrë, sipas tyre, shmanget mundësia që Kosova të presë për liberalizim në rast të moshyrjes në fuqi të ETIAS-it. Nëse asnjë vend nuk do të ketë vërejtje deri më 16 nëntor, atëherë vendimi do të kalojë për miratim në nivel më të lartë, atë të ambasadorëve të shteteve anëtare në trupin e quajtur “Coreper”. Në këtë trup, çështja e vizave mund të vihet në rend dite më 23 nëntor. Nëse kalon në këtë trup, atëherë çështja mund të dërgohet për negociata në Parlamentin Evropian”, tha Shabani.
Ndër të tjera njohësi i mardhënieve ndërkombëtare tha se Kosova ka përparuar sa i përket çështjes së vizave.
“Nuk duhet anashkaluar faktin se Kosova ka bërë përparim domethënës në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për vizat, sikurse sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufijve dhe migrimit, përfshirë edhe azilin, rendin publik dhe sigurinë, si dhe në çështjen e të drejtave themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes”, përfundoi Shabani.
Megjithatë, deri më tash kosovarët mbesin të vetmit që për të hyrë në zonën Schengen duhet të kenë vizë.
Ndërkohë që sistemi digjital, ETIAS, synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen./GAZETAENIGMA/