Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se ka nisur përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në komunat në veri të Kosovës, pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, shkruan Gazeta Enigma.
Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi Lista Serbe ka deklaruar kjo parti dhe qytetarët që e mbështesin atë, nuk do të jenë pjesë e këtij procesi zgjedhor.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli 18 dhjetorin datë të mbajtjes së zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – që të gjitha komuna të banuara me shumicë serbe.
Deri te ky vendim erdhi pasi kryetarët e këtyre komunave – nga Lista Serbe – dhanë dorëheqje më 5 nëntor, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar me ekspertin e sigurisë, Drizan Shala, i cili ka deklaruar se në aspektin e brendshëm ka bazë të fortë ligjore, ndërsa në aspektin e jashtëm ky vendim ka shkaktuar reagime nga të gjitha nivelet e kancelarive në Evropë dhe SHBA.
‘’Vendimi në aspektin e brendshëm ka bazë të fortë ligjore dhe legale në zbatimin e normatives pozitive për zbatimin e këtij por edhe vendimeve tjera’’, ka deklaruar Shala.
‘’Por në aspektin e jashtëm ky vendim ka shkaktuar reagime nga gjitha nivelet e kancelarive në Evropë deri në SHBA duke bërë thirrje dhe sugjerime për një tërheqje taktike dhe për ti dhënë mundësisë për një arritje gjithëpërfshirëse në mesë të Kosovës dhe Serbisë’’, tha ai.
Cilat mund të jenë problemet me të cilat mund të ballafaqohet shteti i Kosovës me procesin e zgjedhjeve në veri?
‘’Fazat teknike të këtij vendimi politik do të reflektojnë negative në sferën e sigurisë nacionale dhe që pasojat mund të jenë me impakt ndërkombëtar të marrëdhënieve të Kosovës me aleatet e saj’’.
Tutje Shala ka shtuar se ‘’Qeveria e Kosovës duhet ta ketë parasysh që nga data 21 nëntor do të prodhojë situatë e cila ka mundësi ti përngjaje situatës së sigurisë të ditëve para shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 në veri’’.
Shala: Veprimet që supozohen të mirën nga këto grupe kriminale /shtetëror të Serbisë janë :
1. Bllokimi i rrugëve,
2. Vandalizmin e komunave – djegien e objekteve,
3. Si dhe tentativa për përmbysjen e rendit kushtetues në pjesën veriore.
Njohësi i sigurisë, Drizan Shala, tutje ka deklaruar se edhe në ka marrëveshje për targa duhet të jemi të gatshëm të trajtojmë situatën më 18 dhjetor.
‘’Pra nëse do të këtë ujdi për targa prapë do të mbetet diskutimi dhe dilema se si të trajtojmë situatën më 18 dhjetor’’, ka deklaruar Shala për Enigmën.
Sipas tij e gjithë do të ketë mundësi që të ndodhë ‘’sepse frika është që assesi të mos mundemi me hap as qendrat e vendvotimeve nga institucionet e Republikës, ndërsa këta ta pranojnë vetëm mekanizmin ndërkombëtar duke dhënë karakter dhe problem ndërkombëtar’’.
KQZ-ja përcaktoi se fushata zgjedhore do të zgjasë nga data 8 dhjetor deri më 16 të atij muaji
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka miratuar planin për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në veri të Kosovës.
Plani parasheh afatin për aplikim të subjekteve politike dhe të kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhje, konfirmimin e tyre, pastaj emërimin e komisioneve komunale zgjedhore etj.
Ky komision miratoi edhe buxhetin për organizimin e këtyre zgjedhjeve, i cili kap vlerën e më shumë se 556 mijë eurove.
Presidentja Osmani 18 dhjetorin e shpalli si datë të zgjedhjeve në veri të vendit
E para e shtetit e shpalli datën e zgjedhjeve pas konsultimeve që mbajti me përfaqësues të partive politike.
Në këtë takim nuk mori pjesë Lista Serbe – partia që, deri më tash, ishte në krye të katër komunave në veri të Kosovës – ndërsa disa politikanë opozitarë serbë bënë thirrje për shtyrjen e zgjedhjeve, me qëllim të shmangies së tensioneve të mundshme, thanë ata.
Çfarë thotë Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë?
Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë thotë se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit Komunal, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga presidenti i Kosovës”.
Sipas ligjit, zgjedhjet shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërndarjes së kuvendeve komunale, ndërsa ato duhet të mbahen jo më herët se 30 dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes.
Reagimi i Beogradit pas shpalljes së datës së zgjedhjeve në veri të vendit
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, reagoi ndaj vendimit të presidentes Osmani për shpalljen e datës së zgjedhjeve, duke thënë se ky proces “është i destinuar të dështojë”.
Sipas tij, bëhet fjalë për “një përpjekje të re të Prishtinës për të pushtuar” veriun e Kosovës, “duke u fshehur pas një lloj procesi zgjedhor”.
“Kjo është edhe një dëshmi se Prishtina asnjëherë nuk ka dashur bashkëpunim institucional me serbët e Kosovës, por, përkundrazi, është munduar të zbatojë dhe rrumbullakojë idenë e saj për Shqipërinë e madhe dhe t’i dëbojë serbët nga vatrat e tyre shekullore”, tha Petkoviq, duke mos ofruar asnjë provë që do t’i mbështeste këto pretendime.
Kujtojmë se Beogradi zyrtar e mbështeti daljen e serbëve nga institucionet në veri të Kosovës, si dhe nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.
Procesi i riregjistrimit kundërshtohet nga shumica e serbëve në veri, ashtu si edhe nga Beogradi zyrtar.
Ata janë kundër targave RKS, apo Republika e Kosovës, në të cilat insiston Qeveria e Kosovës.
Sikurse kryetarët e komunave në veri, edhe policët serbë dhanë dorëheqje nga Policia e Kosovës.
/GAZETA ENIGMA/