Kuvendi i Kosovës ka dalë me një sqarim rreth pagesës së deputetëve të dorëhequr nga mandati i tyre.
Sipas njoftimit, kur Kuvendi shpërndahet deputetët kanë të drejtë të kenë pagën kalimtare e cila rrjedh më së shumti deri në 12 muaj, por kjo nuk vlen edhe për deputetët që japin dorëheqje.
Kuvendi thotë se deputeti i dorëhequr nuk gëzon të drejtën për pagë deri në 12 muaj.
“Kur Kuvendi shpërndahet, qoftë pas mandatit të rregullt apo me ndërprerje të mandatit, deputetët e legjislaturës përkatëse gëzojnë të drejtën në pagë kalimtare deri në një sistemim të ri, më së shumti 12 muaj. Ndërsa kur deputeti jep dorëheqje, nga ajo ditë i pushojnë të gjitha të drejtat që mund të kishte përfituar si ish-deputet, përfshirë edhe pagën kalimtare deri në 12 muaj”, thuhet në sqarim.