Rreth 800 euro është vlera e zbritjes së pagës te shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, pasi Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën që pagat në sistemin e drejtësisë t’i kthejë sikur para vendimit të Qeverisë Haradinaj që më 2017 i pati rritur për gati dyfish.
Me vendim të Haradinajt ishte dyfishuar paga e tij dhe ishte rritur e zyrtarëve të tjerë të lartë të Qeverisë. Vendimi automatikisht prekte pagat në drejtësi. Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në departament të përgjithshëm ishte bërë 1700 euro neto nga mbi 900 sa ishte deri më 2017. Te zyrtarët e lartë në drejtësi, ulja e pagës kap vlera edhe më të larta. Krerët e gjykatave dhe prokurorive themelore, zyrtarët në Kryeprokurorinë e Shtetit, ata në departamente të krimeve të rënda, përjetojnë zbritje edhe më të madhe se një mijë euro.
Qeveria Kurti në shkurt të 2020-s pati vendosur ta ndryshonte vendimin e Haradinajt duke ulur pagat për zyrtarët qeveritarë, por duke mos i prekur ato në drejtësi. Të mërkurën vendosi për t’i kthyer ato siç ishin, në vendimin që i parapriu miratimit të Ligjit për Paga.
Qeveria mbrojti vendimin duke thënë se po respekton Kushtetutën. Megjithatë, shoqëria civile e ka kundërshtuar vendimin duke thënë se po përdoren arsyetime të pavërteta pasi vendimi nuk ishte rrëzuar nga Kushtetuesja e se kjo gjykatë pati shfuqizuar ligjin për paga, që s’ishte bazë për ngritjen e pagave në drejtësi.