Kurti: Më vjen keq që Spanja nuk e ka njohur Kosovën

Kurti: Më vjen keq që Spanja nuk e ka njohur Kosovën

Kryeministri Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Spanjë ku edhe ka marrë pjesë në mbledhjen e Internacionales Socialiste ka dhënë një intervistë për mediumin “El periodico”, ku ka folur për arsyet që ky shtet nuk e ka njohur ende Kosovën.

Ai ka thënë se i vjen keq që Spanja nuk e ka njohur Kosovën, ndërsa është shprehur se “kjo mosnjohje vjen nga mosnjohja e situatës”.

Kur ka folur për këtë, Kurti ka thënë se analogjia e krijuar mes Kosovës dhe Katalonisë është e gabuar dhe sipas tij, kjo është krijuar nga një politikan spanjoll, të cilit nuk ia përmendi emrin, transmeton Telegrafi.

“Më vjen keq që Spanja është pjesë e pakicës së vendeve të BE-së dhe NATO-s që nuk e njohin Kosovën. Nga 30 shtete të NATO-s, katër nuk na njohin, përfshirë Spanjën. Dhe në BE vetëm pesë nuk na njohin, mes tyre Spanja, që është shteti më i madh nga ata që nuk na njohin. Mendoj se kjo mosnjohje vjen nga mosnjohja e situatës. Kur e shpallëm pavarësinë, nuk e di se cili nga politikanët spanjoll ka formuluar disa analogji të gabuara me rastin e Kosovës”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit kosovar.

I pyetur për të dhënë shpjegim më të detajuar, Kurti është shprehur se “nëse ndonjë politikan spanjoll sheh ngjashmëri mes Kosovës dhe Katalonisë apo ndonjë pjese tjetër të Spanjës, Madridi nuk duhet ta sheh veten e tij si Beogradi”.

“Nga sa na është thënë, në atë kohë në Spanjë ekzistonte shqetësimi se pavarësia e Kosovës mund të shërbente si precedent për disa rajone spanjolle që donin të ndaheshin. Mendoj se shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, kur fitoi Princin e Asturias dha argumentin më të mirë pse Spanja duhet ta njohë Kosovën: NATO ndërhyri në Kosovë në pranverën e vitit 1999 për të ndaluar gjenocidin e kryer nga regjimi i Solobodan Millosheviqit”.

“Vetëm në pranverën e vitit 1999, në Kosovë u vranë më shumë se 10,000 civilë të paarmatosur. Më shumë se 10% ishin fëmijë. 20 mijë gra u përdhunuan. Dhe nga Kosova u dëbuan 860 mijë shqiptarë. Në Gjykatën e Hagës u dëshmua se ky ishte një operacion i paramenduar, i njohur si operacioni Ferradura. Vetëvendosja jonë, pavarësia jonë është kundër këtyre fakteve. Pra, nuk e di ku mund të gjesh analogji, ngjashmëri, në Spanjë. Standardi i jetesës në Kosovë ka qenë gjithmonë më i ulët se në pjesën tjetër të federatës jugosllave. Në vitin 1979, kur standardet e jetesës ishin më të ngjashme në ish-Jugosllavi, diferenca midis më të pasurve (Sllovenia) dhe Kosovës ishte shtatë me një. Në të njëjtin shtet socialist! Lëndët e para nxirreshin nga Kosova, por fabrikat ishin në Serbi dhe gjetkë në Jugosllavi. Ne ishim minatorët dhe ata financuesit”.

Related Articles