Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për nder të 28 Nëntorit, ka bërë homazhe tek kompleksi memorial i familjes Jashari në Prekaz.
“I vendosur, guximtar e luftarak. Ky është komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Në shënimin e ditës së lindjes, u përulëm para varrit të tij dhe familjarëve, të cilët u bënë fli për lirinë tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Sipas saj 28 Nëntori shënon tri data historike. “Ai hyri një herë në histori për të mbetur përherë dhe për t’u kujtuar veçanërisht më 28 Nëntor, krahas Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Një ditë dhe tri data historike. Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë! Ai është i gjallë!”, ka shkruar Osmani.
Presidentja është pritur nga vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari, Rifat Jashari.
Bashkë me Osmanin ka qenë edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.