‘Ronaldo është lojtar i jashtëzakonshëm’ – deklarata e Ancelottit që nxit spekulime

‘Ronaldo është lojtar i jashtëzakonshëm’ – deklarata e Ancelottit që nxit spekulime

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, i ka dalë në mbrojtje Cristiano Ronaldos duke vënë në dukje profesionalizmin e tij të lartë gjatë kohës sa luante te klubi spanjoll.

Superylli portugez nuk po kalon momente të mira në karrierën e tij, ndërsa pas ndërprerjes së bujshme të kontratës me Manchester Unitedin, por përballet me situatë të ngjashme edhe te përfaqësuesja.

37-vjeçari u la në bankën rezervë në fitoren e Portugalisë (6-1) ndaj Zvicrës, për shkak të reagimit që kishte bërë pas zëvendësimit në ndeshjen kundër Koresë së Jugut.

“Ronaldo ndoshta akoma ndihet si në të njëzetat, sepse është mirë, i ka përgjigjet që i kërkon nga trupi i tij. Konkurrenca është bërë e lartë”, ka thënë Ancelotti për Corriere dello Sport.

(Foto: Eurosport)

“Kam qenë trajner i tij për dy vite (te Reali) dhe nuk ka pasur kurrfarë problemi. Në fakt, ai i zgjidhte problemet për mua. Cristiano stërvitet shumë, u kushton vëmendje detajeve, gjithçka ishte e lehtë për mua që të trajnoja. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm”, ka deklaruar strategu italian.

Në muajin e kaluar i spekulua se CR7 i është ofruar Realit për gjashtë muaj, si zëvendësim për Karim Benzeman e lënduar, ndërsa kjo deklaratë e Ancelottit padyshim se do të nxitë spekulime të reja.

Federata Portugeze e Futbollit i mohoi të enjten pretendimet se Ronaldo ka kërcënuar me largim nga Kampionati Botëror, pasi trajneri Fernando Santos e la në bankën rezervë.

Edhe vet futbollisti, i cili nuk ka shënuar që nga penalltia kundër Ganës, e lëshoi një deklaratë ku thoshte se janë një grup shumë i bashkuar dhe nuk mund të thyhen nga forcat e jashtme.

Ndryshe, Portugalia luan kundër Marokut në fazën çerekfinale në ndeshjen që zhvillohet të shtunën. 

Related Articles