Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se Policia e Kosovës nuk është e nxitur kundër serbëve, përkundrazi ka shumë konsideratë për ta.
Kurti, në fjalën e tij në seancën e Kuvendit, tha se policia dhe organet tjera të sigurisë asnjëherë nuk përndjekin dikë në baza etnike.
“Deputetë ju falënderojë për mbështetjen që po ua bëni për ditë e për çdo orë organeve të shtetit të Kosovës që po zbatojnë dhe respektojnë dhe me shembullin e tyre po i nxisin të tjerët që të kenë vlerësimet më të larta për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në Republikën e Kosovës”.
“Në veçanti për lirinë e të gjithë qytetarëve pa dallim, policia e Republikës së Kosovës dhe organet e tjera të sigurisë asnjëherë nuk përndjekin e vëzhgojnë dikë në baza etnike e fetare por veç sipas sjelljeve individuale e grupore”.
“Policia nuk është e nxitur e orientuar kundër serbëve, përkundrazi ka konsideratë për serbët në Kosovë pikërisht për shkak të keqinterpretimeve që mund të bëhen nga fqinji ynë verior”, u shpreh Kurti.
Kurti, mes tjerash, tha se përgatitja për mbajtjen e zgjedhjeve nuk janë veprime politike, por shtetërore.
“Mirëpo në të njëjtën kohe kemi obligime e përgjegjësi që dalin nga Kushtetuta, kur japin dorëheqje katër kryetarët ka përgjegjësi ligjore dhe detyra për zyrtarët e shtetit. Presidentja duhet t’i konsultojë krerët e partive politike, e të caktohet një datë bashkë me KQZ-në që i kanë zyrat edhe në veri të Ibrit, nuk janë veprime politike por vendime e veprime shtetërore që i parasheh kushtetuta e ligji që jemi në shërbim të gjithë ne”.
“Beogradi e ka kuptuar se nuk po mund t’i ndajë serbët e shqiptarët në kuptimin e situatës në Kosovë, për ditë takohen, komunikojnë e tregtojnë bashkë nuk po arrijnë ta ndajnë në serbë e shqiptarë. Tash po përpiqen ta ndajnë në serbë në veri e në jug – qëllimi i tyre është hegjemonik dhe këtë nuk po arrijnë ta bëjnë” u shpreh Kurti.