Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person, që dyshohet për sulm ndaj Policisë së Kosovës vitin e kaluar kur po zbatonin urdhër kontrollin e lëshuar nga gjykata, lidhur me disa vepra penale të kontrabandës.
Rasti i sulmit kishte ndodhur në fshatin Rudar të Zveçanit, më 13 tetor 2021 në ora 11:00, ndërkaq arrestimi i të dyshuarit u bë të premten, më 9 dhjetor 2022.
“Rudar, Zveçan 13.10.2021- 11:00 Në datën dhe kohën e cekur, derisa Policia e Kosovës në bashkëpunim me zyrtarët doganorë kanë qenë duke e zbatuar urdhër kontrollin e lëshuar nga gjykata, lidhur me disa vepra penale të kontrabandës, disa persona të dyshuar në mënyrë të organizuar kanë sulmuar me armë zjarri zyrtarët policorë. Pas një pune hetimore në lidhje me rastin, më 09.12.2022 është identifikuar dhe arrestuar një i dyshuar m/k/s”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.