Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e mëtejmë për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve në sektorin publik dhe privat.
Në komunikatën nga kabineti i Kryeministrit, thuhet se në takim u tha se BSPK ka mirëpritur votimin e Ligjit për Zyrtarët Publik dhe atë për Pagat në Sektorin Publik, ndërsa u vlerësua edhe ndikimi pozitiv i Pakos për përballje me inflacionin.
“Duke falënderuar kryetarin e BSPK-së për bashkëpunimin në ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti theksoi se Qeveria mirëpret vazhdimin e dialogut social edhe në vitin 2023”, thuhet në komunikatë.
Në këtë takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet qeverisë dhe BSPK-së, si dhe u bisedua për bashkëpunimin e mëtejmë për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve në sektorin publik dhe privat.