Gjergji: Të përmbahemi nga veprimet e pamatura që çojnë drejt konfliktit

Gjergji: Të përmbahemi nga veprimet e pamatura që çojnë drejt konfliktit

Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji, duke komentuar situatën e tensionuar në veri të Mitrovicës, ka deklaruar secili njeri duhet të ruhet nga gjuha e urrejtjes, përdorimi i mjeteve që e pengojnë lirinë dhe paqen e mbi të gjitha duhet përmbajtje nga veprimet e pamatura që nuk qojnë drejt pajtimit por drejt konfliktit.

Gjergji i bëri këto komente gjatë meshës solemne të Krishtlindjes, e cila është mbajtur në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë.

Ai u ndal edhe te përfaqësuesit e BE-së, të cilët janë të përfshirë në lehtësimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë që nuk bën të presin që pajtimi të vijë vetvetiu, por të angazhohen më seriozisht dhe të punojnë më me përkushtim në mënyrë që të mos lejohet që një konflikt i ri në rajon.

“Të gjithë jemi dëshmitarë se çka po ndodhë në vendin tonë. Mungesa e luftës dhe paqja e detyrueshme nuk kanë krijuar kushte për pajtim, vetëm sa ka akumuluar urrejtjen, mosbesimin dhe mosdurimin ndaj njëri-tjetrit që të shpërthejë më vonë. Që ta ruajmë paqen nevojitet të tregojmë fuqinë e brendshme të shpirtit të secilit njeri që jeton në këtë hapësirë, cilitdo komb që i takon, cilido shtet që i takon sepse secili njeri duhet të ruhet nga gjuha e urrejtjes, nga përdorimi i mjeteve që e pengojnë lirinë dhe paqen e mbi të gjitha duhet të përmbahemi nga veprimet e pamatura që nuk qojnë drejt pajtimit por drejt konfliktit. Kurse, të përfshirit në lehtësimin e dialogut nuk bën të presin që pajtimi të vije vetvetiu por të angazhohen më seriozisht, të punojnë më me përkushtim dhe të jenë më të drejt në gjykimet dhe provokimet, ashtu që të mos lejohet që një konflikt i ri të vije në rajon përpara se të arrijnë paqen dhe pajtimin në mes popujve”, ka thënë Gjergji.

Ipeshkvi u ndal edhe te lufta në Ukrainë, e cila po merr jetë personave të pafajshëm, duke theksuar se i gjithë njerëzimi duhet të punojë për paqen.

“Shpresa dhe lumturia nuk gjenden te politika e pushtetit, as te lavdia, por në mënyrë të mistershme fshihet brenda dhuntive dhe hireve që i bartim prej Zotit, prandaj të gjithë që janë pagëzuar te Krishti duhet të jenë të shenjët e të papërlyer përpara tij në dashuri, nga kjo e vërtet kishtare jemi nxitur të bëhemi misionar të paqes për vendin tonë, që si paqedashës dhe paqebardhës të punojmë në ndërtimin e paqes njerëzore, e pasi e kemi dhuratën e paqes, nuk duhet pushuar kurrë e dhuruar atë sepse nëse ajo mbetet vetëm brenda nesh do të mbetet shterpë “, tha Gjergji, raporton KSP.

Para meshës në këtë katedrale është mbajtur koncerti i Krishtlindjes. Kurse, për këtë festë pasdite, ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji organizoi edhe pritjen solemne. 

Me fillim nga ora 11:00 në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, do të kremtohet Dita e Krishtlindjeve.

Ndërsa Ipeshkvia e Kosovës ka njoftuar se Sh.T. Imzot Dodë Gjergji do të kremtojë Ditën e Krishtlindjeve në katedralen “Zoja Ndihmëtare” në Prizren, po ashtu me fillim nga ora 11:00.

Related Articles