Të shtëna me armë pati të dielën mbrëma në komunën e Zubin Potokut, ku u raportua se është sulmuar një ekip i KFOR-it letonez.
Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga vet KFOR-i të cilët bënë të ditur se të shtënat me armë ndodhën pranë patrullës së tyre të cilët ishin duke monitoruar gjendjen.
Po, mund të konfirmoj se para disa orësh KFOR-i, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër patrullës. Të lënduar nuk ka dhe nuk ka dëme materiale. Tani po i kontrollojmë faktet dhe do t’ju përditësojmë”, bëri të ditur KFOR-i.
Mediat serbe raportuan të dielën mbrëma se rreth orës 19:45 janë dëgjuar shkëmbime zjarri në Zubin Potok, dhe se të shtënat kanë ndodhur pasi Policia e Kosovës “ka dashur të heqë njërën nga barrikadat” në këtë komunë në veri të Kosovës.
Por, Policia e Kosovës ka demantuar raportimet e mediave serbe se ka qenë e përfshirë në shkëmbim zjarri në Zubin Potok.
“Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi. PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”, thuhet në njoftimin për media.
Për situatën në Zubin Potok, reagoi edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Përmes një reagimi të bërë mbrëmë pas mesnate në rrjetin social Facebook, Sveçla tha se “lojërat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë””.
“Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet”, shkroi ai.
Ai tha se barrikadat duhet të hiqen menjëherë dhe se “Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës”.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë të luaj rolin e saj dhe përmbushë misionin e vet. Bëj thirrje tek të gjithë qytetarët që të mos bijnë pre e propagandës së Serbisë për të nxitur një konflikt të ri dhe të bashkëpunojnë me Policinë dhe organet e rendit”, shkroi Sveçla.
Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani tha se “mediat pro-regjimit të Serbisë janë në përpjekje për të nxitur konfrontim të armatosur në Kosovë, duke raportuar rrejshëm se përleshjet po ndodhin afër Zubin Potokut”.
Kurse eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, në një shkrim në Twitter, ka thënë se njësiti i KFOR-it është sulmuar nga serbët, mbështetur nga rusët.
“Krahas sulmit të Policisë së Kosovës, tani kriminelët serbë në veri të Kosovës të mbështetur nga rusët kanë sulmuar njësinë letoneze të KFOR-it”, tha Musliu.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka mohuar se serbët kanë qëlluar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zubin Potok.
“Informatat tona nga terreni thonë se nuk ka pasur asnjë sulm ndaj KFOR-it. “Serbët në veri i respektojnë pjesëtarët e KFOR-it, të cilët janë aty në përputhje me Rezolutën 1244”, tha ai për televizionin serb, Pink.
Grupe të qytetarëve serbë në veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga Policia e Kosovës.
Ai u arrestua nën dyshimet për sulm kundër anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.