Pasi fitoi medaljen më të madhe të mundshme në sport, të artën olimpike, Nora Gjakova vendosi për pushim pak më të gjatë, si shumica e xhudistëve nëpër botë. Titullin e kampionit në Lojërat Olimpike, Nora e fitoi në korrik të vitit 2021. Pushimi më i gjatë i duhej për t’u rikuperuar pas ngarkesës së madhe gjatë ciklit të kaluar olimpik.
Pushimi shkoi përtej të planifikuarës, megjithatë. Norës iu paraqit një lëndim në krah. U operua dhe shërimi zgjati. Në gara u kthye vetëm më 21 tetor të vitit 2022. Me sukses.
Ajo fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin në Abu Dabi. Më pas në Grand Slamin në Baku, më 4 nëntor, fitoi medaljen e bronztë. Ndërkohë në Masters, më 20 dhjetor, u rendit e pesta, një rezultat solid marrë për bazë mungesën e gjatë.
Telashe ka pasur edhe Akil Gjakova. Në Grand Slamin në Paris dhe në Evropian nuk shfaqi shumë. Në Lojërat Mesdhetare, në Oran të Algjerisë, fitoi medaljen e bronztë. Ndërkohë edhe Akili pësoi lëndim të krahut dhe mungoi nga garat në pjesën e dytë të vitit. Është duke punuar për kthim në tatami.
Lëndim gjatë 2022-ës ka pasur edhe Loriana Kuka, tjetër top-xhudiste e Kosovës.
Ekipi i xhudos ka mbetur pa Majlinda Kelmendin, si garuese. Ajo vendosi t’i jepte fund karrierës si xhudiste pas Lojërave Olimpike të Tokios. Ishte kjo një tjetër sfidë që duhej të përballohej.
Dhe u përballua.
Emra të rinj kanë dalë në skenë dhe po punohet për shumë emra të tjerë që pritet të dalin në pah në vitet e ardhshme. Medalje të mëdha janë fituar edhe gjatë vitit 2022 dhe sërish xhudoja ka mbajtur diferencën me sportet tjera në vend, por edhe pozicionin e lartë në nivel global.
Rritja e ekipit të xhudos është evidente. Medaljet janë dëshmia më e mirë. Xhudistët e trajnerit Driton Kuka kanë fituar medalje në të gjitha garat ku morën pjesë. Sa për ilustrim, Komiteti Olimpik i Kosovës dërgoi ekip të zgjeruar në Lojërat Mesdhetare në Oran. U fituan gjashtë medalje. Pesë prej tyre ishin të xhudos dhe një e boksit. Tri të artat ishin nga xhudoja.
Në çdo garë serioze ku morën pjesë, xhudistët e Kosovës ishin të paktën një herë pjesë e podiumit. Është shquar Distria Krasniqi, ndërsa Laura Fazliu po stabilizohet si top-xhudiste.
Me kthimin e Norës e Laurës, e ndërkohë edhe të Akilit, dhe me emrat e rinj që po vijnë, e tashmja dhe e ardhmja e xhudos është plotësisht e sigurt. Natyrisht, kjo është meritë e punës që bëhet nga trajneri Driton Kuka në sallën e Qendrës Nacionale të xhudos dhe sistemin unik që ai tashmë ka.
Dilemat e Norës
Medalja më e vlefshme në sport, e arta olimpike, sjell edhe presion për sportistët. Këtë e ka provuar edhe Nora Gjakova, që mungoi gati 15 muaj pas shkëlqimit në Lojërat Olimpike në Tokio. Ajo e vlerëson vitin 2022 të suksesshëm, kryesisht për shkak të kthimit në tatami.
“Duke marrë parasysh që kam fituar medalje këtë vit, e cilësoj të suksesshëm. Më tepër për shkak të rikthimit, sidomos pas medaljes së artë në Lojërat Olimpike. Ka qenë me të vërtetë sfiduese. Sfiduese ka qenë edhe para se të lëndohem, për t’u përgatitur mentalisht për të rifilluar një kapitull të ri. Pas kësaj erdhi lëndimi, u bë sfidë edhe më e madhe. Normal që edhe në mendjen time ka pasur shumë pikëpyetje a do të kthehem përsëri. Por, siç duket e kam kaluar me sukses dhe jam shumë e lumtur që ia arrita të futem përsëri aty ku e kam lënë. Fitova medaljet dhe kjo është e rëndësishme”, ka thënë Nora për KOHËN.
Ajo tani ushtron me intensitet të plotë nën urdhërat e Driton Kukës dhe përkrah xhudisteve dhe xhudistëve të tjerë. Është e përkushtuar për të ecur para, për të fituar medalje të tjera dhe synim kryesor e ka Olimpiadën e ardhshme, atë që në vitin 2024 mbahet në Paris.
Kampionia tjetër olimpike, Distria Krasniqi, ishte sportiste e vitit, jo vetëm në xhudo. Pas Tokios, ku triumfoi në kategorinë deri 48 kilogramë, Distria doli në kategorinë deri 52 kg. Dhe ka rreshtuar medaljet e sukseset.
Distria ishte e para në Grand Prix të Portugalisë, e dyta në Grand Slam të Parisit, e treta në Evropian, e para në Grand Slam në Tbilisi dhe në Lojërat Mesdhetare, e dytë në Grand Prix të Zagrebit, e treta në Botëror, e para në Masters në Jerusalem. Pra nuk iu nda podiumit.
“Ka qenë një vit shumë i mirë për mua, duke pasur parasysh që kam ndërruar kategorinë. Në çdo garë ku kam marrë pjesë kam fituar medalje, isha në podium. Jam shumë e kënaqur duke ditur se kam ndryshuar kategorinë. Shpresoj që deri në Parisi 2024 do të shkoj duke përmirësuar performancën time dhe natyrisht të bëhem gati për Lojërat Olimpike”, thotë Distria, që tashmë është e treta në ranglistën botërore në kategorinë e saj.
Ajo së fundi shkëlqeu në Masters, garën e më të mirëve në xhudo, ndërsa i dallon edhe dy gara të tjera.
“E veçoj Kampionatin Botëror ku mora medaljen e bronztë. Ishte një podium shumë i mirë ku ishim dy kampione olimpike dhe francezja që është medaliste olimpike nga Tokio si dhe anglezja. Pra një podium i shkëlqyer dhe jam krenare që isha pjesë e atij podiumi. Mund të veçoj edhe Grand Slamin e Tbilisit ku ishte me shumë rëndësi që të marr medalje të artë sepse më ka rritur vetëbesimin në kategori të re”.
Në nivel të Distrisë e Norës gradualisht po ngrihet Laura Fazliu, xhudistja që kishte lënë herët familjen dhe jetën në Mitrovicë për të ndjekur ëndrrën për karrierë të madhe në xhudo.
Laura shkëlqeu në Kampionatin Evropian për seniorë, të mbajtur në Sofje në fund të prillit. Arriti deri në finale të kategorisë deri 63 kilogramë. Pra e fitoi medaljen e argjendtë. Në Lojërat Mesdhetare dhe në Evropianin U23 fitoi titullin e kampionit. Në Masters, në dhjetor, sërish u paraqit në finale. Pra në përgjithësi një vit shumë i suksesshëm për Laurën, por që nuk pritet të jetë më i suksesshmi.
“Jam shumë e kënaqur me sukseset e këtij viti. Ka qenë viti më i suksesshëm në karrierën time. Kam fituar medaljen e parë nga kampionatet për seniorët. Kështu që është viti më i suksesshëm në karrierën time”, thotë Laura.
Loriana Kuka fitoi të artën në European Open në Sarajevë dhe në Lojërat Mesdhetare. Në Grand Slamin në Abu Dabi dhe në Baku ishte e treta.
Flaka Loxha po rritet gradualisht. Në Evropian ishte e shtata, ndërsa fitoi medalje të bronztë në Lojërat Mesdhetare.
Dardan Cena fitoi medalje të bronztë në Evropianin e juniorëve, ndërsa Erza Muminoviq ishte e pesta në Evropianin e juniorëve dhe Evropianin U23.
Ndryshimi në strategji
Te të rinjtë nuk ka pasur shumë medalje. Por nuk ka pasur edhe shumë gara për ta. Është kjo pjesë e strategjisë së re të trajnerit Kuka. Ai tani synon t’ua mësoj të rinjve xhudon në stërvitje dhe më pas t’i dërgojë në gara. Dhe të rinjtë kanë fatin që të ushtrojnë përkrah kampioneve olimpike, të mësojnë nga kampionët olimpikë dhe të përmirësohen prej tyre. Janë të privilegjuar si pak xhudistë nëpër botë.
Zhvillimit të xhudos pritet t’i jep hov programi “Kosova, shtet i xhudos”. Ky program shtetëror është lansuar këtë vit, ndërsa përfitimit prej tij priten në vitet e ardhshme. Ndër të tjera, shtrirja e xhudos do të jetë dukshëm më e madhe se deri më tani, ndërsa ka edhe plot përfitime tjera që priten.
Sa i takon të rinjve, kryetrajneri Driton Kuka është shumë i kënaqur me zhvillimin e tyre. Pos xhudistëve në fakt është rritur edhe stafi i trajnerëve në ekipin e xhudos. Kukën tani e asiston Majlinda Kelmendi, kampione olimpike. Aty si gjithnjë është Fatos Tabaku e po ashtu një trajner spanjoll i angazhuar nga Federata e Xhudos së Kosovës për punë specifike, sidomos me xhudistë.
“Është me rëndësi që kontinuiteti i medaljeve të mëdha në sportin e xhudos po vazhdon. E veçantë që tash e plot dhjetë vjet kemi fituar medalje në Kampionate Evropiane dhe prapë ka ardhur medalja nga Kampionati Botëror. Viti i kaluar ka qenë i çmendur me medalje në të gjitha garat e mundshme, në Evropian, Botëror dhe Lojëra Olimpike. Prapë sivjet në garat më të rëndësishme, në Evropian dhe Botëror, jemi kthyer me medalje”, ka thënë Driton Kuka.
Ëndrra tjetër e Tonit
Ai ka përmendur lëndimet e Norës, Akilit e Lorianës si dhe ndryshimin e kategorisë nga Distria. Ka thënë se është sanuar gjendja në ekip pas tejngarkesës në ciklin e kaluar olimpik.
“E veçanta e vitit është vajza që ka ardhur prej një qyteti tjetër, që tash thuajse është bërë e qytetit tonë, pasi tashmë janë bërë tetë apo nëntë vjet në qytetin e Pejës. Ka sakrifikuar, është larguar prej familjes. Fjala është për Laura Fazliun e cila sivjet është kurorëzuar me medalje elitare. Për mua, për punën time dhe për daljen prej atij zhargonit të një klubi, të një qyteti, është shumë e rëndësishme. Është bërë nënkampione evropiane për të rritura, medalja e parë elitare jashtë qytetit të Pejës. Njëkohësisht është bërë kampione e Evropës në grupmoshën U23. Për meshkuj prapë një djalë që ka ardhur prej Prishtinës dhe që jeton në Pejë për katër-pesë vjet. Dardan Cena, që është stolisur me medalje në Kampionatin Evropian deri 21 vjet. Faktikisht emri ‘Qendra Nacionale e Xhudos’ po e merr kuptimin e plotë, marrë parasysh që viti 2022 protagonistë ka edhe xhudistë që kanë ardhur, janë ndarë nga familjet, kanë ardhur të jetojnë në Pejë, t’iu përkushtohen xhudos në mënyrë profesionale dhe sakrifica po ju shpaguhet ngadalë. Është një vit i i veçantë sa i përket kësaj çështje”, flet me mburrje trajneri Kuka, lidhur me shtrirjen e sukseseve edhe në qytetet tjera.
Ai tani ka të qartë idenë për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, por si strateg që është, ka nisur të mendojë edhe për Lojërat Olimpike të vitit 2028.
Kuka po mbështetet shumë tashmë edhe në punën e Majlindës si trajnere.
“Është një grup prej 15 deri në 20 xhudistë, të grupmoshës prej 12 deri në 17 vjet, që po vjen. Unë po kam dëshirë ta quaj grupi i Majlindës, sepse Majlinda po punon jashtëzakonisht shumë me këtë grup. Dhe ua ka rritur nivelin për një vit jashtëzakonisht shumë. Jam shumë i kënaqur. Normal që sistemi i punës është i përbashkët, të gjithë së bashku diskutojmë, tashmë jemi bërë staf serioz edhe i trajnerëve. Jemi bërë sikur shtab teknik, ku e kemi edhe spanjollin Felipe Sanchez, që është ekspert sidomos në aspektin e përgatitjes fizike. Fatosi është aty afër meje, por me këtë grup në mënyrë shumë serioze, të gjitha ato që i kemi diskutuar, çka ka qenë prioritet, i ka vënë në vepër në masën më të madhe Majlinda. Dhe jam shumë i kënaqur sepse po vjen një gjeneratë jashtëzakonisht e mirë. Frytet e punës do të vjelen pas dy-tri vjetësh, por me rëndësi të madhe është që po krijohen gjenerata që tash e 20 vjet do të kemi rezultate në sportin e xhudos”, thotë Kuka.
Toni Kuka ka arritur shumë synime që i ka pasur në xhudo. Por synimet vazhdojnë t’i rriten. Tani ëndërron për ditën kur në Lojëra Olimpike do të qëndrojë në mesin e shikuesve. Këtë tashmë ka nisur ta “testojë” në gara të tjera, duke vënë Majlindën në karrigen e trajnerit e në raste edhe Fatos Tabakun.
“Kjo është ëndrra ime, që si trajner të lë gjurmë edhe te trajnerët e ardhshëm dhe jo vetëm në ndërtimin e garuesve. Sepse tashmë s’do mend që është arritur qëllimi në çdo aspekt. Por nëse ndërtohet kontinuiteti edhe i punës së trajnerëve, në të ardhmen po shpresoj që do të vjen koha që në Olimpiadë të rri si spektator e ti shoh trajnerët dhe garuesit që i kam ndërtuar, që po ndërtojnë medalje të mëdha për shtetin e Kosovës. Atëherë do të thotë çdo gjë që është ëndrra ime jetësore përmbushet edhe në këtë drejtim. Kjo është diçka e jashtëzakonshme që do të ndodhte dhe po shpresoj që do të ndodhë”, ka theksuar Kuka.
Me punën që bëhet në stërvitjet e ekipit të Kosovës në xhudo, çdo ëndërr duket e realizueshme. Edhe ato të trajnerit Driton Kuka, që gjithnjë janë të mëdha e më të mëdha.