Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se plagosja e sotme në Shtërpcë e dy të rinjve, përbën një krim të papranueshëm dhe të patolerueshëm.
Sipas saj, përgjegjësi apo përgjegjësit e këtij krimi duhet dhe do të përballen me drejtësinë.
“Plagosja e sotme në Shtërpcë e dy të rinjve, qytetarë të Republikës së Kosovës, përbën një krim të papranueshëm dhe të patolerueshëm. Përgjegjësi apo përgjegjësit e këtij krimi duhet dhe do të përballen me drejtësinë. Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke punuar intensivisht në sqarimin e rrethanave të plagosjes së dy të rinjëve në Shterpcë. Përgëzoj Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe të duhur, pa lënë asnjë hapësirë për dilema. Duke e dënuar ashpër këtë krim, njëkohësisht bëj thirrje për ndaljen e çdo tendence të manipulimit dhe paragjykimit të motiveve”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
“Duke iu uruar dy të rinjve shërim sa më të shpejtë dhe familjeve të tyre kurajon dhe urtësinë për ta përballuar këtë situatë të rëndë për ta, ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e individëve apo strukturave që shfrytëzojnë fatkeqësitë për të nxitur tensione pa asnjë bazë reale”, ka thënë Gërvalla.
Dy persona, njëri 11-vjeçar e tjetri 21-vjeçar, janë plagosur këtë të premte në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, pasi në drejtim të tyre është shtënë me armë zjarri nga një automjet në lëvizje.
I dyshuari për këtë rast, A.K. i moshës 33 vjeçar, është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.