Ndeshjen e të dielës në Etihad Stadium pati brohoritje të ndryshme nga tifozët e Chelseat, ndërsa më së shumti spikatën ato për Thomas Tuchel.
Kanë kaluar vetëm katër muaj prej se gjermani u shkarkua nga posti i trajnerit të Bluve, të cilët nën drejtimin e trajnerit të ri, Graham Potter, kanë regjistruar gjashtë humbje në nëntë ndeshje.
Tashmë po flitet se klubi anglez është në kërkim të një trajneri të ri. Skuadra ndodhet 10 pikë prapa pozitës së katërt në tabelë dhe është eliminuar nga dy kupa vendore.
Nëse forma e tyre vazhdon kështu, atëherë gjasat janë të mëdha që të mbesin jashtë zonës evropiane. Si rezultat i kësaj, Potter është ndër trajnerët që pritet të shkarkohen së bashku me Frank Lampard (nga Evertoni).
Chelsea ishte në situatë të njëjtë para dy vitesh kur e angazhoi Tuchelin, i cili pesë muaj më pas e fitoi Ligën e Kampionëve. 49-vjeçari fitoi tri trofe brenda 20 muajsh dhe arriti në tri finale vendore duke siguruar një lidhje me tifozët.
Prandaj, nëse klubi vendos për t’i rregulluar gjërat, atëherë rikthimi i gjermanit do të kishte shumë kuptim. Ai e njeh pjesën më të madhe të skuadrës dhe nuk do ta kishte të vështirë që ta niste punën aty ku e ka lënë.
Ai është padyshim më i dëshmuar se favoriti për ta marrë postin e trajnerit të Chelseat, Mauricio Pochettino, ndërkohë që si emër është përmendur edhe legjenda franceze, Zinedine Zidane.