Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka folur pas fitores ndaj Llapit në finalen e Superkupës së Kosovës, duke thënë se ndihet i lumtur që i sjellën edhe një trofe qytetit.
Ballkani fitoi me rezultat minimal 1-0 ndaj Llapit në një ndeshje të tensionuar të zhvilluar në Antalia të Turqisë, falë golit të vetëm të shënuar nga Lumbardh Dellova.
Megjithatë, trajneri Daja ndihet i lumtur me fitoren edhe përkundër vështirësive dhe se ekipi gjendet edhe në përgatitje.
“Ishte lojë e fortë dhe e luftuar në fushë. Jemi të kënaqur sepse sjellim një trofe tjetër në Suharekë. Na vjen mirë që pas marrjes së titullit, kemi edhe fitimin e Superkupës”, ka thënë fillimisht Daja pas ndeshjes.
“Nuk jemi në ditët tona më të mira sepse jemi në fazën përgatitore. Në këtë lloj ambienti, ndoshta do të kishte më shumë spektakël po të ishim në formën optimale”.
“Ndeshja ishte me episode, por episodet zgjidhin ndeshjet. Jemi të lumtur, i uroj të gjithë për këtë triumf. Jemi me pikë të barabarta me Dritën. Ne kemi një grup me djem shumë të mirë, qoftë të talentuar, qoftë që kanë ambicie”.
“Do ta kemi vështirë ta mbrojmë titullin. Por, ashtu siç kemi bërë gjatë gjysmës së parë të sezonit, ku zhvilluam edhe një sezon në veçanti në Evropë, do ta tregojmë veten edhe në këtë gjysmën e dytë të kampionatit”, përfundoi trajneri i Ballkanit. /