Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mbrëmë është takuar me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Edhe pse si fillim nga Qeveria e Kosovës deklaruan se nuk parashihet të zhvillohet një takim i tillë, në orët e vona të mbrëmjes së kaluar Kurti bashkë me zv/kryeministrin Besnik Bislimi, kanë darkuar me Lajçakun.
Kurse sot, kryeministri Kurti ka folur në lidhje me këtë takim.
Kurti tha se plani i ashtuquajtur franko-gjerman, duhet të ketë njohjen reciproke në qendër.
“Marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër sepse vetëm asisoj e bëjmë normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti, teksa ka folur edhe për marrëveshjet e arritura ndër vite me Serbinë.
“Diplomacia fluturuese iu është bashkangjitur edhe takimeve të nivelit të lartë për propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i ka pesë fjali në preambulë dhe 10 nene gjithsej. Kur e patëm marrë ne atë më datën 9 shtator, patëm thënë që është bazë e mirë për diskutimet e mëtutjeshme, është një kornizë e platformë dhe e cila na mundëson që të ecim përpara, mirëpo nevojitet një proces negociator i bisedimeve, në mënyrë që ai propozim të bëhet marrëveshje. Ajo se çfarë ne theksojmë është që në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet ndaj një marrëveshjeje tjetër”,deklaroi Kurti