Ministri i Financave, Hekuran Murati ka raportuar para Komisionit parlamentar për Buxhet lidhur me rritjen e çmimeve të faturave në pronë për vitin 2023.
Ministri tregoi arsyet e rritjes së faturave duke sqaruar se ky dikaster nuk ka caktuar këto vlera dhe që ministria vetëm merret me rivlerësimit e pronave në bazë të ligjit të miratuar në vitin 2018.
“Ky ligj parasheh që në vitin e pestë të tatimohet 100 përqind e vlerës së tokës. Me këtë ligj është planifikuar pos ndërtesave dhe pronave, të tatimohet edhe toka”, tha Murati.
Ai përmendi se rivlerësimi i pronave bëhet çdo tre vjet dhe pastaj sipas çmimit të tregut, komunat përcaktojnë shkallën tatimore.
“Fatkeqësisht, ligji në komuna përcakton normën nga 0.15 deri 1 përqind të tatimit në pronë. Në këtë mënyrë, ministria në bashkëpunim me komunat pasi ka bërë vlerësimin ka dërguar raportin në fund të tetorit. Shumica e kryetarëve të komunave janë shprehur të kënaqur, pos dy-tre komunave, për shkak të rritjes së hyrave të komunës”, thotë ministri Murati, njofton KlanKosova.tv.
Mirëpo, siç thotë ai, disa nga komunat e kanë përdorur këtë fakt për të goditur qeverinë, përmes akuzave të disa deputetëve të opozitës për t’ia lënë fajin ministrisë dhe qeverisë për rritjen e tatimit.
“Duhet të them se ky ligj mund të ndryshohet, pasi që jemi në përfundim të ligjit të ri për tatimin në pronë, që na mundëson fleksibilitet më të madh, që në mënyrë të përshkallëzuar të caktojmë vlerën në nivele të ndryshme në bazë të kategorisë së pronës. Jemi të gatshëm ta lehtësojmë këtë barrë të qytetarëve për vitin e ardhshëm”, shprehet Murati, shkruan Klankosova.tv.
Kurse, Avdullah Hoti, anëtar i komisionit nga LDK, thotë se Murati ka pasë mundësi ta menaxhojë dhe evitojë këtë situatë.
“S’jemi këtu për të adresuar fajin, por jam i shqetësuar si ekonomist, deputet dhe ish-ministër i ekonomisë, se si është e mundur që qytetarët të kuptojnë më 23 janar se do të kenë rritje të tatimit në pronë në kohën kur marrin faturat. Si duket nuk keni pasur ide se do të dyfishohet tatimi”, thotë Hoti.
Ai shprehet i shqetësuar që ministri nuk po e bën punën që ka, që të menaxhojë me situata e sidomos në këtë kohë të krizës financiare.
“Ministër, jeni për të menaxhuar situatat në interesin më të mirë të qytetarëve në kohën kur kemi krizën më të madhe financiare dhe ekonomike në 15 vjetët e fundit. Ky raport është dashur të bëhet publik dhe qytetarët të paralajmëroheshin se do të paguajnë dyfish tatimin në janar”, thotë Hoti.
Mirëpo, ai sugjeron se mund të ketë zgjidhje nëse deri më 15 prill, edhe kur është afati i fundit për pagesën e pjesës së parë të tatimit, që të ketë rishikim të buxhetit dhe të përshkallëzohet ose shtyhet pagesa e tatimit deri në vitin 2024.
Mërgim Lushtaku, anëtar i komisionit nga PDK, u shpreh se Ministria e Financave është dashur të informojë qytetarët më herët, por nuk ka reaguar deri sot.
“Në kohën kur kemi krizë të jashtëzakonshme ekonomike, një kohë e pamundur të mbijetohet pa asnjë mbështetje financiare dhe pas refuzimit të tërheqjes së TRUST-it, dhe me rritje të tatimit deri në pesëfish, sugjeroj që ky vendim i tatimieve të pezullohet deri në kohë të caktuar”, shprehet Lushtaku.
Në anën tjetër, deputeti tjetër nga PDK, Ferat Shala, përmendi se ka pasur mundësi që ligji të amandamentohet brenda ditës dhe të bëhen ndryshime, për shkak të krizës dhe inflacionit prej 13 përqind.
“Ju jeni për të hartuar politikat dhe parashikuar pasojat. Kemi pasur vërshime, pos tjerash. Pse nuk e prolonguat ligjin? Ne kemi vullnet ta ndryshojmë dhe përmirësojmë përmes nismave transparente, por ju të gjitha nismat sociale i keni hedhur poshtë deri sot. Ju po thirreni në ligjet e kaluara dhe po fsheheni pas atyre të Isa Mustafës. Brenda tre orëve e kishim rregulluar ligjin me përkrahjen tonë”, tha Shala.
Ai theksoi se këtë javë nuk është mbajtur seanca e kuvendit nga mungesa e mazhorancës, që ish dashur të paktën të ketë diskutime për vërshimet.
Ndërsa, ministri Murati tha se kompentencë e komunave është të njoftohen për ndryshime në vlera.
“Sqarova se kemi filluar me përmirësimin e ligjit dhe jemi në proces të hartimit të tij. Pronat duhet ta kenë vlerën e tregut, në raport me bankat, trashëgiminë dhe çështjet tjera biznisore”, thotë Murati.
Ai sqaron se ky vlerësim nuk mundet tash të pezullohet, por qytetarët mund të ankohen për vlerësimin e pronave në bazë të zonave.
Edhe deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Eman Rrahmani pranon se këto çmime janë diskriminuese.
“Ka rritje deri në 400 përqind të tatimit në pronë, prandaj ky ligj ka nevojë për ndryshim për të qenë korrekt ndaj qytetarëve. Komuna e Prishtinës është më e prekura nga këto rritje dhe ankesat vijnë nga kjo komunë. Prandaj, propozoj që deri në fund të prillit të ndryshohet ligji dhe përmirësohet gabimet që të arrihet zgjidhje për të ardhmen”, thotë Rrahmani.
Kurse, Pak Lekaj nga AAK, thotë se komunat nuk kanë lëvizë normat, por këto vlerësime të ministrisë kanë ndikuar në rritjen e vlerës së tatimit.
“Këshilltarët e juaj është dashur të ju njoftojnë në tetor kur është bërë vlerësimi i pronave dhe keni pasur mundësi të merrni nisma ligjore për të evituar këtë rritje, duke e ditur në çfarë krize të thellë ekonomike jemi”, thotë Lekaj.
Por, ai propozon që ky vendim të pezullohet dhe procedohet urgjentisht ligji i vitit 2023 në kuvend.
Mirëpo, Visar Korenica nga LVV, sugjeroi që të diskutohet në nivelin e rivlerësimit të pronave, në këtë kohë të krizës në mungesë të qasjes proaktive dhe të ndryshohet qasja.
“Duhet të kemi mbështetje ligjore që të marrim vendim për lehtësim të barrës për qytetarët. Prandaj, propozoj që në takimin e ardhshëm në bazë të ligjit në fuqi, në interes të qytetarëve të dalim me propozime konkrete para ministrit”, thotë Korenica.