Gjithçka është e improvizuar në një bodrum në Prishtinë, ku boksierja Donjeta Sadiku zhvillon përgatitjet për garat që e presin.
Kushtet në të cilat Donjeta stërvitet as për së afërmi nuk u përshtaten synimeve që ka ajo.
Por vështirësitë brenda sallës së improvizuar të boksit nuk janë brenga më e madhe e Donjeta Sadikut. Boksierja e kategorisë deri 60 kilogramë i frikësohet bllokadës që Qeveria e Indisë dhe ajo e Serbisë mund t’ia bëjnë në Botëror, përkatësisht në Evropian. Në dy ngjarjet më të mëdha të boksit amator, Sadiku vitin e kaluar fitoi medalje të bronzta.
Ajo tani ka dyshime të mëdha nëse do t’i lejohet pjesëmarrja në Botërorin e Indisë. Disa vjet më parë Donjetës i ishte mohuar dy herë hyrja në Indi për shkaqe politike. Zgjidhje nuk i bënë as organizatat më të mëdha sportive.
Botërori në New Delhi të Indisë mbahet nga 13 deri më 31 mars të këtij viti, derisa Evropiani mbahet në Beograd në mars të vitit 2024, katër muaj para Lojërave Olimpike në Paris.
“Nuk po më përcjell nganjëherë fati në gara për shkak se po organizohen në vende ku nuk njihet Kosova. Mirëpo unë jam e gatshme që në Indi dhe në Serbi të ngre flamurin dhe po shpresoj që të më lejohet pjesëmarrja”, ka thënë Sadiku për Kohën.
23-vjeçares i ishte mohuar hyrja në Indi në vitet 2017 dhe 2018. Kështu, kishte mbetur pa marrë pjesë në ngjarjet globale. Ajo thotë se vetëm politika mund ta ndalë që të ngjitet në podium.
“Duke pasur parasysh se më është mohuar hyrja në Indi dy herë për Botëror, është vështirë që të më lejohet hyrja tani. Por unë jam më shumë se e përgatitur për këtë kampionat botëror dhe shpresoj që të më lejohet pjesëmarrja në Botërorin që do të mbahet në Indi, pasi e ndiej veten të gatshme që ta ngre flamurin në këtë shtet”, është shprehur tutje Sadiku.
Ajo insiston se është gati ta bëj krenare Kosovën. Por boksierja më e mirë në vend i ka dilemat e saj.
“Është mundësia shumë e madhe që të mos na lejojnë të shkojmë, por shpresoj që shteti ynë të bëjë diçka që të marr pjesë, pasi jam e gatshme që ta shfaq flamurin në këtë vend”, ka theksuar Sadiku.
Donjeta kishte fituar medalje evropiane e botërore te të rejat. Por fillimi si seniore doli të jetë i vështirë. Në një moment e kishte menduar edhe largimin nga boksi, por 23-vjeçarja megjithatë qëndroi dhe tani ka kthyer karrierën në rrugën e duhur. Po punon me trajneren Mariola Sallauka dhe bashkëpunimi po jep fryt.
Ajo synon që medaljet e bronzta botërore e evropiane t’i shndërrojë në të arta këtë vit. Më pas kërkon suksesin edhe në lojërat olimpike “Parisi 2024”. Donjeta gradualisht po e kthen lavdinë e boksit kosovar, që e kishte me gjeneratën e artë të Prishtinës.
“Viti 2022 për mua ka qenë viti më i suksesshëm në karrierë, pasi fitova dy medaljet që boksi i ka pritur gjatë. Kam filluar me punë pas këtyre dy sukseseve pasi gjatë muajit shkurt fillojmë garat, ndërsa në mars është Botërori. Synimi im mbetet të kualifikohem në Olimpiadë”, thotë ajo.
Donjeta Sadiku ishte pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike që u mbajtën në Tokio. Por ajo nuk pati sukses, ndërsa vitin e ardhshëm synon medalje.
“Ëndrra dhe qëllimi im kryesor janë që ta përfaqësoj sërish Kosovën në Lojërat Olimpike, mirëpo në Paris nuk do të isha e kënaqur që të marr vetëm pjesë, synoj medalje për boksin kosovar”.
Boksi kosovar ka pritur për afro katër dekada për medalje nga Kampionati Evropian. Për dekada ka pritur edhe për medalje nga Kampionati Botëror. E, pritjes i dha fund gjatë vitit 2022 falë Donjetës. Sadiku është e motivuar që të fitoj medalje edhe këtë vit.
“Jam shumë e motivuar për shkak se e kam parë veten se në çfarë niveli jam dhe ku jam ngritur dhe po më bën të besoj më shumë për medalje në Lojërat Olimpike në Paris”, ka thënë ajo.
Garën e parë për këtë vit Sadiku do ta ketë në Bullgari. Do të marrë pjesë në një prej turneve më të mëdha në boks. Turneu “Strangja 2023” mbahet nga 18 deri më 27 shkurt.